Juventusi imiton PSG-në, me monedhën e tij të kriptuar

Prishtinë | 25 Sht 2018 | 15:44 | Nga

Pas Parisit, edhe Juventusi hyn në botën e monedhës numerike, apo të ashtuquajturës “cryptocurrency”, për të afruar edhe më shumë tifozët.

Edhe bardhezinjtë, ashtu siç bënë ditë më parë kampionët e Francës, nënshkruan një kontratë partneriteti me “socios.com”, një platformë kjo me teknologji të bazuar te “bitcoin”.

Në 3-mujorin e parë të vitit 2019 do të prezantohet “Juventus Official Fan Token”, monedha numerike që do t’u lejojë tifozëve juventinë në mbarë botën që të hyjnë në ndërveprim me klubin nëpërmjet sondazheve dhe votimeve.

Për të siguruar monedhën virtuale, përdoruesit do të duhet të regjistrohen te “socios.com” dhe do të blejnë me euro monedhat “Chiliz” të kësaj platforme për t’i konvertuar në monedhën “Joft”.

Kjo marrëveshje pritet të përforcojë edhe më shumë lidhjen e klubit me tifozët e tij dhe t’i sjellë përfitime financiare, duke qenë se “Zonja e vjetër” ka mbi 340 milionë tifozë në mbarë botën, nga të cilët 60 milionë janë shumë aktivë në rrjetet sociale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme