Kampioni në fuqi i Italisë, Juventusi këmbëngul se klubet që janë tërhequr nga Superliga nuk i kanë përfunduar ende procedurat e nevojshme por pranojnë që projekti nuk mund të kompletohet në formën e konceptuar fillimisht.
Këtë njoftim, Juventusi e ka bërë të mërkurën pasi tërheqjen nga Superliga e zyrtarizuan gjashtë klubet nga Premier League, Interi dhe Atletico Madridin.
“Në lidhje me njoftimin për shtyp të botuar nga Juventusi më 19 prill 2021, në lidhje me krijimin e propozuar të Superligës, dhe debatin publik pasues, lëshuesi sqaron të jetë në dijeni të kërkesës dhe qëllimeve të shprehura ndryshe nga klube të caktuara të tërhiqen nga ky projekt, megjithëse procedurat e nevojshme të parashikuara nga marrëveshja midis klubeve nuk kanë përfunduar”, thuhet në njoftimin zyrtar. “Në këtë kontekst, ndërsa Juventus mbetet i bindur për qëndrueshmërinë e hapësirave sportive, komerciale dhe ligjore të projektit, ai beson se aktualisht ka shanse të kufizuara që projekti të përfundojë në formën e konceptuar fillimisht. Juventusi mbetet i përkushtuar për të ndjekur krijimin e vlerës afatgjatë për kompaninë dhe të gjithë industrinë e futbollit”.
Ndërkohë, presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli ka thënë se Superliga nuk mund të jetësohet pas tërheqjes së ekipeve nga Anglia. Agnelli tani është nën presion nga tifozët që bëjnë thirrje për dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit të Juventusit.