Në prani të zyrtarëve institucional, shumë mysafirëve, profesorëve dhe studentëve vendor e ndërkombëtarë, UBT ka hapur edhe zyrtarisht edicionin e tetë të Akademisë Ndërkombëtare Verore (ANV).
Hapja solemne është bërë në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, nga rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, ku ka treguar që ky edicion i ANV-së ka ngjallur interesimin e qindra pjesëmarrësve nga shtetet e rajonit dhe më gjerë.
Rektori Hajrizi theksoi se sivjet Akademia Ndërkombëtare Verore e UBT-së ka zgjeruar aktivitetin e vet në 25 fusha të ndryshme studimi, në të cilat do të prezantohen inovacionet e fundit në botë.
Sipas tij, pjesëmarrësit do të kenë rastin të dëgjojnë dhe t’i shkëmbejnë idetë në fushat përkatëse.
Në hapjen zyrtare mori pjesë edhe profesori i Universitetit të Romës, Giuseppe Bonifazi, i cili u shpreh i kënaqur që në Kosovë organizohet një aktivitet i tillë me karakter ndërkombëtar, ku të rinjtë mund të përfitojnë njohuri të reja dhe përvoja të paharruara.
Fjalë rasti pati edhe koordinatori nacional për reforma shtetërore në zyrën e Kryeministrit të Kosovës, Besnik Tahiri.
Ai tha se UBT është një institucion i mundësive, ku të rinjtë përveç ligjëratave e punëtorive, krijojnë miqësi, e mund të bëhen pjesë e projekteve me studentët ndërkombëtarë.
Sivjet Akademia Ndërkombëtare Verore do të zgjasë deri më 24 korrik, në kuadër të së cilës organizohen aktivitete në 25 fusha studimi. Do të mbahen ligjërata nga ekspertë dhe profesorë, punëtori, simulime, projekte dhe shumë aktivitete rekrative.