UBT promovon librin e ri “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari”

Prishtinë | 10 Shk 2023 | 13:19 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Libri “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari” u promovua gjatë ditës së premte në UBT, raporton Ekonomia Online.  

Musa Sabedini, autori i librit dhe njëkohësisht profesor në këtë universitet, e ka cilësuar atë si një udhërrëfyes për punën kërkimore në gazetari.

Mes tjerash, Sabedini tha se lufta për klikime po e dëmton shumë gazetarinë, prandaj qëllimi kryesor i librit është që të përçojë mesazhe në këtë drejtim.

“Kur vendosa ta shkruaj librin, i thashë Rektorit dua ta shkruaj edhe i thashë afat vetes 100 ditë.  Ky libër është ABC i punës kërkimore dhe gazetarisë. Gazetaria don saktësi, don vërtetësi”.

“Unë jam shumë i lumtur që libri ka dalë, ka qenë një ëndërr e imja e kahmotshme.  Ka shumë defekte në fushën e etikës, ka shkelje të mëdha, të tmerrshme. Lufta për klikime, lufta me lajme të rreme e dëmton shumë gazetarinë”, tha Sabedini.

Ai tha se ka hasur shumë shkelje gjatë raportimit në kohën kur po shkruante librin.

“Kisha shumë raste kur e shkruaja librin, për shembull vrasja e gruas shtatzënë, kishte shumë shkelje.  Unë jam i sigurt që libri nuk është i përkryer, por 80% i plotëson kriteret për të jetuar gjatë.  E rëndësishme është që ky libër të japë mesazh”.  

“Gazetaria e mirë ka me jetuar gjithmonë, gazetarët e mirë kanë me i dashtë gjithmonë.  Unë gjithmonë jap kritika, edhe veten e kritikoj.  E keqja është që shumica e portaleve kanë staf joprofesional”, tha Sabedini.

Ndërsa, Edmond Hajrizi, rektor i UBT-së, tha se libri është shumë i dobishëm, sidomos për studentët e gazetarisë, duke marrë parasysh, mes tjerash, eksperiencën e autorit.

“E kam parë vet punën e profesorit që i ndihmon studentëve dhe të gjithë personave në fushën e gazetarisë. E mira e këtij libri është se vjen nga dikush që del përtej akademisë dhe ka punuar një kohë të gjatë në gazetari. E falënderoj Musën për këtë punë  dhe angazhim, duke pritur edhe librin e radhës”, tha Hajrizi.

Ai shtoi se universiteti që ai drejton, UBT, është duke punuar vazhdimisht në infrastrukturë për publikime shkencore

“Me gjithë mendimin tim real them se ky libër ka një bazë të mirë që të lexohet. Për UBT-në, po punojmë në infrastrukturë që të kemi botime çdo ditë”.

Ferit Selimi, dekan i Gazetarisë në UBT, tha se ky libër e mbush një boshllëk të gazetarisë kosovare, pasi që shumica e lirave janë ose nga Shqipëria ose të përkthyer.

“Kemi pak libra të gazetarisë, shumica kanë ardhur nga Shqipëria ose janë përkthyer. Ky libër nga vet titulli rrah mediat online, që kanë përfshirë jo vetëm Kosovën, por tërë botën. Autori Musa Sabedini është përpjekur që t’i ngërthejë të gjitha, si nga përvoja e tij si gazetar, ashtu edhe si lexues i thjeshtë i mediave online”, tha Selimi.

Të ngjashme