Ka përfunduar konferenca në Hagë, gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve më 3 prill

Prishtinë | 20 Mar 2023 | 14:13 | Nga Ekonomia Online

Më 3 prill, në Gjykatën Speciale në Hagë do të fillojë gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo është konfirmuar sot në konferencën mbi ecurinë e çështjes, të mbajtur në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Ky proces gjyqësor do të fillojë të hënën në orën 09:00 me deklaratat hyrëse ndërsa paraqitja e provave do të fillojë një javë më vonë.

Në konferencë është bërë e ditur se deklarata hapëse e Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të zgjasë deri në pesë orë.

Ndërsa, mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi do t’i ketë tri orë për fjalën e saj hyrëse, ekipi i Kadri Veselit 45 minuta, mbrojtja e Rexhep Selimit një orë, ndërsa ajo e Krasniqit një orë e gjysmë.

Kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith ka kërkuar nga palët të respektojnë kohën, derisa ka theksuar se mbrojtësit duhet të përqendrohen në çështje që lidhen me akuzat dhe të njëjtit të shmangin deklaratat të natyrës politike.

Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020. Në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.

Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Thaçit dhe të tjerëve ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetishtë

Të ngjashme