Të dashura mike,
Ju ftoj të hidhni sytë përreth, në jetët dhe miqësitë tuaja, të vëzhgoni çdo detaj me kujdesin e veçantë hulumtues. Ju siguroj se do të gjeni qoftë edhe një detaj që do të bëjë ndryshimin, një detaj që do të thyejë pritsh-mëritë tuaja idealiste… sepse do te gjeni solidaritet dhe jo solidaritet, por, ju jeni të trajnuara mjaftueshëm sa të bëni sikur kuptoni dhe s’kuptoni nëse ekziston apo jo ky solidaritet. Sepse femrat e dinë të vërtetën për veten e tyre, dhe çfarëdo që të ishte e vërteta, asnjë femër s’do të habitej më shumë sesa një burrë.
Ndërkaq, solidariteti mes meshkujve vërtetohet në çdo situatë, duke filluar që nga situatat banale të jetës së përditshme, deri në çështje të mëdha politikanësh. Kurse vajzat e gratë duket se e kanë të vështirë të jenë kaq “easygoing” sikurse meshkujt; rrjetet e tyre janë shumë më vulnerabël, madje duket se mjafton një mashkull për t’i përçarë.
Solidariteti pra, nuk mund të jetë i plotë mes femrave.
5 arsye, plus 5 situata te njohura:
1 – Gjithmonë do të ketë diçka që do t’i ndajë dy femra, qoftë edhe një arsye minimale apo sipërfaqësore për të cilën dy meshkuj nuk do të diskutonin kurrë, si për shembull: Të gjithë e dimë që vajzat fiksohen me pamjen e jashtme në mënyrë të habitshme. Mjafton kjo arsye për të manipuluar solidaritetin mes tyre, sepse në të kundërt si do të shpjegohej që një femër e bukur vihet në “alert” nëse pranë saj do të qëndrojë një tjetër femër e bukur?!
2 – Solidariteti mes femrave është aq i brishtë, sa edhe edhe një miqësi mes tyre. Thuhet se “Solidariteti mes femrave ekziston po aq sa edhe nderi mes hajdutëve”… Në fakt, u habita pa masë kur e lexova këtë shprehje, por pastaj dalëngadalë fillova ta besoj, për më tepër pasi solla në mendje disa histori të dëgjuara “vërdall”. Për shembull: Kujtoj se sa herë nëpër tavolina baresh, ne dëgjojmë meshkuj që shajnë femra, dhe pranë tyre shohim femra të tjera që i mbështesin ata?! (është e çuditshme të shohësh femrat që shfaqen kaq shumë paragjykuese për njëra-tjetrën, madje mund të jenë edhe më “gojë-hidhura” sesa meshkujt mund ta imagjinojnë të jenë ndonjëherë…
A thua se lufta brenda llojit është po aq e ashpër, dhe këtu më vjen në mendje thënia latine e Plautit “lupus est homo homini, femina feminae lupior…” (“burri ështe ujk për burrin, femra për femrën edhe më shumë.”)
3 – Jo pak herë kemi dëgjuar shoqet tona të thonë se do të parapëlqenin një shef\drejtues mashkull sesa një shefe\drejtuese femër, duke pretenduar se burrat janë më të sinqertë dhe më të kuptueshëm… Është i qartë edhe këtu fakti se femrat kanë pritshmëri më të mëdha për meshkujt sesa për njëra-tjetrën, madje edhe duke iu referuar vlerave intelektuale. Për aq kohë sa femrat të mendojnë kështu, nuk mendoj se do të bëhet fjalë për solidaritet mes tyre (hë pra vajza, kjo është një situatë e njohur besoj)
4 – Nuk ka kufij që një grua nuk mund të shkelë për të patur vëmendjen e një burri, menjëherë pasi ka konstatuar që ai burrë vlen diçka për sytë e saj (historia është plot me shembuj të konflikteve të nisura nga gratë, për gratë (dhe më kujtohet gjyshja kur me aq lezet thotë: “Bëj kujdes çupë, se ta merr tjetra burrin.’’
Pra, nëse gratë do të ishim kaq solidare, pse do të na duhej të mësonim kaq shumë gjëra për rivalitetin mes nesh, shoqëruar me mënyrat se si të ruhemi prej tij, apo ndoshta “të transmetosh këtë lajm” nga femra tek femra, në fund të fundit është në vetvete solidaritet?! Por që kur na qenka solidaritet të paralajmërosh femrat se femrat e tjera janë të rrezikshme?!
5 – Edhe pse lëvizjet feministe, theksojnë fitoret e arritura, rruga mbetet ende e gjatë. “Beteja” nuk duhet të ndalë kurrë, as kur luftohet për probleme të qenësishme si diskriminimi i grave, dhe as kur flitet për kufirin e brishtë të solidaritetit mes tyre, që gjithashtu përbën një fakt mbi të cilin duhet punuar. Po aq sa edhe diskriminimi dhe mospërfshirja e grave.
Po të kishte patur kaq shumë solidaritet mes femrave, do të kishim pozicione të barabarta në vendimmarrje. Nëse ne gratë do ta kishin mbështetur njëra- tjetrën, në parlament do të kishte një numër më të madh grash (dhe kjo do të ishte jo për faktin se atë femër po e mbështet një burrë i fuqishëm, por sepse ajo po mbështetet nga femra të tjera në parti ). Por, në fakt, është e pamundur sepse në një grup me 4 femra, është e sigurt që dy nuk pëlqehen, imagjino…
Solidariteti i vërtetë, vetëm për çështje më të mëdha
Është e sigurtë se ekziston solidariteti i vërtetë kur bëhet fjalë për çështje të mëdha dhe më gjithëpërfshirëse, sepse nëse merremi me çështje të vogla do të jenë të shumta gjërat që do të na ndajnë, duke kompromentuar vërtetësinë e solidaritetit. Është një lloj solidariteti thuajse “mekanik” që e bën individin të shkrihet me turmën, dhe të bashkohet me zërin e shumicës.
E kemi njohur në shkollë kur së bashku me vajzat e tjera të klasës jemi lutur që të mungojë zysha, apo të na e spostojë provimin. E kemi njohur në punë kur së bashku me kolegen kemi “folur keq” për shefin, edhe pse me njëra-tjetrën mund të mos kishim aspak marrëdhënie të mira. E kemi njohur nëpër grupe ku jemi ndjerë të barabartë, pjesë e lëvizjeve feministe në mbarë botën, kur kemi urryer njëzëri burrat dhe dominimin e tyre.
Duke pretenduar barazinë, krijimit të shanseve dhe mundësive të barabarta, ndodh forcim i solidaritetit mes të pabarabartëve.
Perspektivë idealiste
Ç’duhet të bëjmë atëherë?! Mendoj se gratë së pari, duhet të fillojnë të mbështesin njëra-tjetrën, të mbrojnë njëra tjetrën, sa herë që një mashkull flet keq për një femër, kjo e fundit nuk duhet ta mbështesë atë dhe të thotë “jo, të gjitha femrat janë njësoj”, duke bërë indirekt reklamë për veten dhe duke theksuar se ajo është ndryshe nga ajo tjetra që ai po shan. Një grua duhet të mbrojë së pari një qenie të njëjtë me të, dhe të jetë së dyti më e kuptueshme, pa gjykuar apriori.
Sepse ndonjëherë femrat mund të bëhen armiket më të forta të njëra-tjetrës, dhe kjo është tragjedi!
Megjithëse, ky fakt është i njohur dhe i prekshëm në realitetin shqiptar, kjo nuk do të thotë se është kaq mbizotërues aq sa të mos gjenden gjurmë të fisnikërisë së grave. Ka mjaft gra fisnike. Sepse vlerat do të ekzistojnë gjithnjë, dhe pse ka kaq shumë shkundje dhe tjetërsim të realitetit e moralit. Nuk duhet harruar fakti se në zanafillë “të përgojimit” të femrave nga femrat është xhelozia…
Unë sugjeroj thjesht : Mjaft më! Mjaft më duke urryer njëra-tjetrën! Boll na urrejnë meshkujt për gjithë ç’kemi arritur…