Arben Livoreka nuk do të qëndrojë asnjë ditë në burg, në rast se për dy vitet e ardhshme nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale. Kaçanikasi, të enjten u dënua, me dy vite e gjysmë burgim me kusht, për pjesëmarrje në organizata terroriste. Ai për të njëjtin rast ishte dënuar një herë me 3 vite e gjysmë burgim, porse rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit
Gjykata Themelore e Prishtinës, ka dënuar te enjten, me dy vite burgim me kusht, Arben Livoreken, për pjesëmarrje në organizatë terroriste, shkruan Gazeta Express.
Kaçanikasi i kthyer nga Siria pas 8 muaj e gjysmë qëndrimi në Siri, nga nëntori i 2013’ës deri në gusht të 2014’ës, nuk do të shkojë në vuajtje të dënimit në rast se për dy vite nuk përsëritë ndonjë vepër tjetër penale.
Ai ishte dënuar nga e njëjta Gjykatë më 3 vite e gjysmë burgim, më 19 janar 2016, porse rasti ishte kthyer në rigjykim më 10 qershor të vitit 2016, nga Gjykata e Apelit.
Në të njëjtin rast, e njëjta lartësi dënimi nga Gjykata Themelore i ishte shqiptuar edhe të akuzuarit tjetër Nexhat Behluli. Por, ndaj tij, Prokurori Special Elez Blakaj kishte pushuar ndjekjen penale, në seancën paraprake të rigjykimit, e mbajtur më pak se dy javë më parë.
Trupi Gjykues aktgjykimin ndaj Livorekës e ka shpallur të enjten, gjysmë ore pasi ka dëgjuar fjalët përfundimtare të Prokurorit Special dhe mbrojtjes së të akuzuarit.
Arben Livoreka sipas Prokurorisë, më 28 nëntor 2013, përmes aeroportit të Prishtinës kishte udhëtuar për në Stamboll, e më pas nga aty ka kaluar kufirin për në Siri, ku është pritur nga dy kosovarë tjerë që ndodheshin në zonën e konfliktit Jeton Raka dhe Bashkim Beka.
Sipas aktakuzës së ngritur në dhjetor të vitit 2015, Livoreka iu kishte bashkuar një formacioni ushtarak “Ahrar Al Sham”, për të cilin prokurori special gjatë fjalës përfundimtare tha se është celulë e organizatës terroriste “Al Nusra”.
Pikërisht emri i organizatës, gjatë herës së parë të gjykimit të këtij rasti në themelore, ishte shkruar gabimisht nga Prokurori Special. Prokuroria në aktakuzë e kishte shënuar formacionin si “Harausham”, shkruan Gazeta Express. Këtë emërtim vetë e ka pohuar i akuzuari gjatë intervistimit në hetuesi, pas arrestimit.
Emërtimi i saj ishte ndryshuar në aktakuzë qysh në fillimin e rigjykimit të rastit.
Ndonëse, vetë i akuzuari Livoreka gjatë gjykimit të parë në Themelore kishte pohuar se ka qenë pjesë e grupimit “Harausham”. Por, pranimin e fajësisë ai e kishte revokuar gjatë shqyrtimit të rastit në Gjykatën e Apelit, e cila më pas kishte kthyer rastin në rigjykim.
“Kur kemi marrë vesh se “Harausham” nuk është në listën e organizatave terroriste të shpallura nga Kombet e Bashkuara, ne kemi revokuar pranimin e fajësisë dhe rasti është kthyer në rigjykim nga Apeli”, ka thënë mbrojtësi i Livorekës gjatë fjalës së tij përfundimtare që e dha të enjten.
“Arbeni a ka marrë pjesë në formacionin ushtarak “Harausham” apo “Ahrar Al Sham””, ka pyetur avokati Muhamet Humolli gjatë fjalës së tij përfundimtare.
Megjithatë, ai ka përmendur edhe faktin që klienti i tij vazhdimisht në deklaratat e tij ka thënë se ka qenë pjesë e formacionit “Harausham”, ndërsa Prokuroria Speciale pretendon për një tjetër grupim.
“Nuk kam qenë në grup terrorist, qaty ku po thotë prokurori”, tha në gjykatë vetë Arben Livoreka.
Paraprakisht, mbrojtja e Livorekës, që gjatë rigjykimit është mbrojtur në heshtje, por që në fazën hetimore dhe në gjykimin fillestar gjatë 2016’ës kishte pranuar qëndrimin për më shumë se tetë muaj në Siri, kërkoi nga trupi gjykues që në rast se shqiptohet dënim ndaj të akuzuarit, të jenë parasysh edhe masat lehtësuese ndaj tij.
Por, prokurori special Elez Blakaj gjatë fjalës së tij përfundimtare, që e dha para se mbrojtja ta bëjë në gjë të tillë, tha se Arben Livoreka vazhdon të ketë qëndrime të njëjta për luftën në Siri, edhe pse u kthye nga zona e konfliktit.
“Nuk ka qenë pendesa qëllimi i kthyerjes së tij, por rrethanat dhe mosmarrëveshjet mes organizatave kanë bërë që ai të kthehet në Kosovë”, tha prokurori special, duke sqaruar se vetë tashmë i dënuari gjatë një deklarimi të tij kishte treguar se të vendimi për kthimin nga Siria kishte ardhur pas shpërthimit të një konflikti ushtarak mes “Ahrar Al Sham” me ISIS, me arsyetimin se ai nuk ka dashur t’i bashkohet ISIS’it, por të qëndrojë përkrah formacionit të afërt me ‘Al Nusra’.
“Nuk e ka pas lehtë me shku, por ka qenë i vendosur me shku. Ka tregu vullnet dhe përkushtim që më shku”, tha prokurori gjatë seancës për dhënien e fjalës së tij përfundimtare, që pasoi me shpallje të aktgjykimit dënues me kusht, për terrorizëm, ndaj Arben Livorekës.