Kuvendi ka vazhduar seancën e sotme me debatin parlamentar, sipas kërkesës së deputetes Donika Kadaj-Bujupi, mbështetur edhe nga 7 deputetët nënshkrues nga GP i AAK-së, në lidhje me shtesat e fëmijëve.
Deputetja Kadaj-Bujupi tha se si kuvend mund të angazhohen bashkë pa dallime partiake, sepse kjo, sipas saj, është çështje strategjike me interes kombëtar në mënyrë që shtesat për fëmijë të bëhen realitet jo më larg se vitin tjetër, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se janë dy arsye kryesore pse mendon që kjo duhet të ndodhë.
“E para barazia ndërmjet fëmijëve është parakusht për zhvillimin e tyre. Pra, përfshirja e tyre në arsim, luftimi i varfërisë, i kequshqyerjes, angazhimi për barazi dhe solidaritet ndërmjet fëmijëve është punë në të cilën duhet të investojmë të gjithë ne”.
Kadaj-Bujupi deklaroi se edhe pse Kosova ka popullsinë nga më të rejat në Evropë ka një rënie të natalitetit. Sipas saj, prej vitit 2011 deri më 2017 janë 70 mijë lindje më pak, derisa shtoi se faktor për këtë rënie është edhe mungesa e shtesave.
“Pra për më pak se 6 vite kemi 70 mijë lindje më pak. Numri në rënie i lindjeve vjen si pasojë e disa faktorëve siç është migrimi i popullsisë në vendet e BE-së, shtyrjes së martesave, rritjes së numrit të divorceve dhe mungesës së benefiteve ose shtesave të fëmijëve të cilat ekzistojnë në çdo vend të BE-së, ndërsa institucionet e Kosovës nuk kanë arritur të dizajnojnë politika të cilat do të parandalojnë rënien e natalitetit”.
Ajo tha se rezoluta që propozojnë sot parasheh që çdo fëmijë në Kosovë prej moshës 0 deri në 16 vjeç të gëzojë shtesa çdo muaj duke filluar nga 10 euro, pastaj sipas mundësive buxhetore kjo shumë të rritet.
Sipas saj, rezoluta kërkon që rekomandimet e saj të zbatohen në buxhetin për vitin e ardhshëm duke u shndërruar në vijë buxhetore.
Deputetja e PDK-së, Flora Brovina, u shpreh se pasi propozimi vjen nga partia e kryeministrit, beson që është diskutuar buxheti dhe të realizohen shtesat për fëmijë, të cilat vlerësoi se janë të domosdoshme.
Ajo tha se është shqetësuese rënia e natalitetit në Kosovë.
“Është brengosëse edhe pse nëse si parametër shquhet mortaliteti që ka qenë shumë i lartë, ai fillon të zvogëlohet, por ai mbetet ndër vendet me mortalitet më të lartë në Evropë. Por nataliteti gjithashtu po bie”.
“Përmirësimi i jetës së këtyre fëmijëve nuk mund të bëhet me një rezolutë, duhet bërë më shumë sepse shtetet e zhvilluara bëjnë shumë më shumë, jo vetëm duke stimuluar rritjen e natalitetit, por duke ofruar edhe kushte më të favorshme për rritjen e fëmijëve, duke pasur shtesa”.
Ndërsa deputetja e PSD-së, Besa Baftiu, e ka quajtur të domosdoshme këtë iniciativë, por edhe të vonuar, duke thënë se 33 për qind e fëmijëve jetojnë në varfëri, 10 për qind e fëmijëve janë të përfshirë në punë dhe 7 për qind prej tyre punojnë punë të rënda.
“Një ndikim ndoshta edhe jo direkt e ka edhe në ngritjen e natalitetit duke pasur parasysh se shumë shtete evropiane janë munduar që të ngrisin shtesat mirëpo nuk kanë mundur ndoshta të ngrisin edhe natalitetin, që d.m.th. se duhet edhe politika të tjera në këtë drejtim”.
Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë se do të ishte mirë që shuma e shtesave të mos jetë nën 10 euro, ndërsa mbi këtë shumë do të ishin të mirëseardhura për fëmijët dhe familjet e tyre.
“Shpresoj që vullneti i deputetëve që do ta shprehin me rastin e votimit të kësaj nisme, të merret seriozisht nga Qeveria që të hartojq një ligj sa i përket kësaj çështje për shtesat e fëmijëve, duke marrë parasysh buxhetin për vitin e ardhshëm që besoj se muajin e ardhshëm do të kalojë”.