Kadaj-Bujupi: Veseli kryekriminel, regjimi si ai i Millosheviqit

Prishtinë | 31 Gus 2016 | 09:38 | Nga

Donika Kadaj-Bujupi, në emisionin Ballë për Ballë të Klan Kosovës, ka thënë se arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje tregojnë më së miri regjimin nën të cilin po jetojnë qytetarët e Kosovës, ndërkaq nuk hezituar që kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ta quajë kryekriminel.

“Unë dëgjova një deklaratë të kryekriminelit (i drejtohet Kadri Veselit) që konfirmoi se ai ishte urdhërdhënës, dhe në këtë intervistë paragjykoi për aktivistët e Vetëvendosjes dhe vërtetoi që deri në orët e vona kanë ushtruar presion ndaj deputetëve të PDK-së për ta votuar demarkacionin”.

“Aktivistët e arrestuar të Vetëvendosjes shkëlqejnë edhe në karrierë edhe në pjesën akademike. Për dallim prej këtyre të tjerëve, që na e nxinë fytyrën. Sonte u kërkua që në emër të demarkacionit deputetët të votojnë shitjen e mbi 8 mijë hektarëve të territorit të Kosovës”.

“Arrestimet e djemve dhe vajzave më të mira kanë për qëllim që të na dëmtojnë tash kur jemi afër 1 shtatorit. Por ne nuk do të ndalemi. Do të punojmë”, ka thënë ajo.

Kadaj-Bujupi ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë provë të vetme për t’u bërë këto arrestime, ndërsa sistemin qeverisës të vendit e ka krahasuar me regjimin e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, njofton Klan Kosova.

“Sot nuk ka pasur asnjë provë të vetme. Ka pasur vetëm akuza dhe paragjykime. A duhet që secili që posedon telefon dhe kompjuter të arrestohet. Nuk e arsyetoj mbajtjen ilegale të armëve, por ato nuk kanë asnjë lidhje me predhën e hedhur në Kuvend. Ajo predhë ka ardhur nga pushteti”.

“Veprimet e sotme janë veprime të regjimit, që kanë ndodhur edhe gjatë regjimit të Millosheviqit, që i kanë parapri propagandës. Vet arrestimi kaq tendencioz, pa asnjë provë e tregon këtë gjë. Ekziston një rrjet i organizuar kriminal që e lufton opozitën me qëllim të mbetjes në pushtet dhe zhvatjes së vazhdueshme që e kanë bërë tash e një kohë”, ka thënë ajo.

“Ne jemi në vazhdimësi, në përgatitje maksimale që 1 shtatori të jetë dita kur këtij regjimi t’i vijë fundi. Në të kundërtën do të kemi një vazhdimësi dhe rrënim të Republikës. Prandaj jemi duke punuar në terren dhe presim që më 1 shtator, deputetët brenda dhe qytetarët jashtë t’i thonë jo demarkacionit”, ka shtuar ajo.

“Unë edhe kur kam qenë pjesë e AAK-së në raste të caktuara kam votuar kundër (propozimeve të PDK-së), ndërsa vota ime është përshtatur me votat e Lëvizjes Vetëvendosje”.

Të ngjashme