Deputetja e Aleancës për ArdhmErinë e Kosovës,(AAK), Time Kadrijaj, ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të deputetes së VV-së, Arbëreshë Kryeziu Hyseni e cila kishte bërë krahasime që, sipas saj, cenojnë figurat e luftës dhe vlerat e lirisë së Kosovës.
Kadrijaj në një postim në rrjetin social Facebook, ka shkruar se është e dhimbshme të shihet, siç u shpreh ajo, niveli i ulët i diskursit politik, duke e cilësuar të papranueshme çdo përpjekje për të bërë paralele mes nënkryetarit të AAK-së, Ardian Gjini, dhe Serbisë.
“Kur Ardian Gjini dhe djemtë e vajzat më të mira të këtij vendi ia kthyen pushkën Serbisë, shumë prej jush as nuk e kanë ditur ku është vija e frontit. Nëse Ardiani nuk flet për luftën, e bën sepse është njeri me parime dhe nuk e përdor gjakun as kur ju e përdorni krejt makinerinë propaganduese kundër tij”, ka shkruar Kadrijaj.
Ajo ka shtuar se përdorimi i gjuhës ndarëse, sipas saj, po e dëmton Kosovën më shumë se çdo gjë tjetër, duke theksuar se problemet politike nuk mund të mbulohen me sulme ndaj figurave të luftës.
Kadrijaj ka kërkuar ndaljen e, siç e quajti ajo, “lojërave të ulëta politike” dhe kthimin e debatit në nivel institucional e dinjitoz.