Sot janë bërë 15 ditë qëkur kryeministri i Kosovës Albin Kurti po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo vizitë është më e gjatë që ndonjë kryeministër i Kosovës ka realizuar atje.
Përkundër kësaj, qëndrimin dy javor të tij, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj po e sheh të paefektshëm.
“Nuk ka qenë vizita të nivelit të lartë. Është dashtë të pritet në Shtëpinë e Bardhë. Kemi deputetë që po kanë agjenda më të ngjeshura sesa një kryeministër. Me qëndru një kryeministër dy javë për takime të tilla është absurditet i kohës. Kurti është dashtë të takohet me zyrtarë të rangut të lartë”, deklaroi për “Front Online”.
Kadrijaj, që është edhe anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvend, vizitën e Kurtit e përmblodhi me një fjalë.
“Dështim”, u shpreh Kadrijaj.
Në mungesë të ndonjë takimi me zyrtarë të lartë amerikanë, gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara, kryeministri Albin Kurti ka realizuar takime me drejtues të shoqatës së bizneseve e të kompanive teknologjike dhe ka vizituar kompani të ndryshme.
Nuk dihet se kur ai do të rikthehet në Kosovë.