Deputetja e AAK-së Time Kadrijaj, në seancën ku po diskutohet për menaxhimin e pandemisë COVID-19, ka thënë se në këtë kohë krize Ministria e Shëndetësisë duhet t’iu sigurojë qytetareve terapinë për COVID-19.
“Po bëhen pothuajse nëntë muaj që prej shfaqjes së rasteve të para me COVID-19 në vendin tonë. Ky virus sistemin shëndetësor e zuri të papërgatitur, që është një sistem shëndetësor edhe ashtu jo fort i avancuar. Ky virus, që ende ka shumë të panjohura, deri më tani fatkeqësisht ka marrë jetën e shumë qytetarëve të Kosovës. Në këtë periudhë kur virusi është përhapur në masë të gjerë në vendin tonë është e rëndësishme që të zbatohen masat e nevojshme të parashikuara”.
“Në këtë fazë, Ministria e Shëndetësisë duhet të sigurojë kujdesin më të mirë për pacientët me COVID-19 duke siguruar gjithashtu që shërbimet thelbësore të vazhdojnë të ofrohen në spitale dhe të përmbushen nevojat e personave të sëmurë në komunitet, në të gjitha qytetet”.
Kadrijaj foli edhe për Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike duke iu bërë thirrje deputetëve që ta votojnë atë.
“Në këso lloj situate kur në pyetje është shëndeti i qytetarëve tanë, ne duhet të japim shembull nga ky Kuvend si institucioni më i lartë në Republikën e Kosovës. Duhet të reflektojmë dhe të mendojmë për ata qe na kanë dhënë besimin që ne të jemi përfaqësuesit e tyre në këtë Kuvend, prandaj ta votojmë pa humbur kohë Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike dhe t’i ndihmojmë qytetarët dhe bizneset e vendit tonë”.