Kallëzim penal ndaj profesorit asistent të Departamentit të Historisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Selim Bezeraj, ka ngritur Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) me dyshimin për plagjiat të punimit shkencor dhe falsifikim të dokumentit të shtëpisë botuese gjermane “Zeitschrift für Balkanologie”, shkruan sot Koha Ditore.
Kallëzimi penal është bërë pas dyshimeve se Bezeraj për t’u avancuar në pozitën e profesorit asistent e ka bashkangjitur në aplikacion punimin e tij shkencor me titull “Soziale Lage in Albanien Wahrend der Regierung des Prinzen Wilhelm Wied nach Deutchen Reisenden”, që, sipas ORCA-s, është identik me temën e diplomës së një personi me emrin Adam Christian, që e ka mbrojtur në Universitetin e Vjenës në 2010.
Pretendimet e ORCA-s se ai është avancuar me punimin në fjalë i ka hedhur poshtë vetë profesori Bezeraj, por edhe Rektorati.