Shaip Kamberi, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, kërkon edhe një mandat për t’i çuar në legjislativin serb kërkesat e shqiptarëve. Por, ai nuk do që të shkojë vetëm. Megjithatë, rreth vetes nuk do as deputetë që i shërbejnë pushtetit të Beogradit, shkruan Express.
Kamberi ka kërkuar unitet të Luginës së Preshevës në zgjedhjet serbe më 3 prill, por përveç kësaj, thekson se nevojiten deputetë që i përfaqësojnë realisht interesat e shqiptarëve.
“Uniteti i Luginës për zgjedhjet në parlament të Serbisë është i rëndësishëm. Edhe numri i deputetëve. Por thelbësorja është Unitet për çka? Deputetë për kë? Disa thonë se kur e kemi unitetin dhe numrat, emrat e deputetëve s’kanë rëndësi. Se pastaj qenka çështje egosh dhe interesash personale. Si nuk paskan emrat rëndësi. Kjo është së paku shkurtëpamësi. Emrat e deputetëve janë cilësi politike, bindje e përvojë, shërbim i dëshmuar. Historia së paku 50 vjeçare e pjesëmarrjes së deputetëve shqiptarë në Beograd është dëshmia më e mirë. Disa i kanë shërbyer qëllimeve politike të shqiptarëve. Disa interesave individuale ose biznismenëve të krimit të organizuar. Tjerë, edhe më keq, nevojave të pushtetit në Beograd”, ka shkruar Kamberi.
Ai thotë se “mund t’i kemi 5 deputetë të orientuar gabimisht dhe që ushtrojnë politika të këqija, siç mund të kemi më pak deputetë, por të orientuar drejtë dhe me politika të mira”.
“Sepse vetëm cilësimi Deputet Shqiptar nuk flet për politika progresive dhe kombëtare, e aq më pak për cilësi. Shqiptar ishte edhe Ali Shukriu. Edhe Rrahman Morina. Por ç’të mirë na sollën? Asgjë. Sepse ishin të udhëhequr nga politika të gabuara. Sa për që kam emrin Shaip Kamberi dhe që jam shqiptar, kjo nuk do t’i kishte penguar domosdoshmërisht pushtetit në Beograd. Ai më luftoi dhe sulmoi vazhdimisht para së gjithash se nuk i përshtatej politika ime. Pra, uniteti, numrat dhe emrat nuk janë çështje thjesht teknike dhe abstrakte. Janë politike. Uniteti dhe numrat, vetë, pa politikën, apo me politikën e caktuar dominuese; mund të shkojnë bashkë nën sqetullat e pushtetit autoritar të Vuçiqit. Në mbrojtje të interesave të tij. Dhe atë në emër të shqiptarëve”, shkruan Kamberi.
Deputeti shqiptar ka bërë thirrje për unitet në politikën kundër pushtetit aktual në Serbi, pasi “vetëm kështu ka kuptim Lugina e Bashkuar”.
“Që të dëgjohet Lugina në Beograd; e jo Vuçiqi, Daçiqi dhe Vulini në Luginën e Preshevës”, shkruan Kamberi.