Kamenica me 8 shkolla fillore në kuadër të reformës, do të organizohet transporti i nxënësve

Prishtinë | 19 Gus 2019 | 09:26 | Nga Ekonomia Online

Reforma e arsimit, e cila është iniciuar nga kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, po merr formë.

Qeverisja komunale do të realizojë fuzionimin e shkollave ngase ata nuk e shohin të arsyeshëm funksionimin e shkollave në vendbanimet të cilët kanë numër të vogël të nxënësve. Komuna vlerëson se sistemi i deritashëm është i dëmshme për zhvillimin social të fëmijëve dhe për arsye të tjera, të cilat lidhen edhe me cilësinë e arsimimit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Komuna me këtë reformë synon që klasat e shkollave fillore të kenë mesatarisht 20 nxënës. Reforma parasheh që Kamenica të ketë vetëm 8 shkolla fillore dhe nxënësit do të vijojnë procesin mësimor në shkollën “Fan Noli’ që gjendet në qytetin e Kamenicës, në shkollën “Abdullah Krashnica” në fshatin Koretin, “Rexhep Mala” në fshatin Topanicë, “Metush Krasniqi” në fshatin Roganë, “17 shkurti” në fshatin Muqivercë, “Skënderbeu” në fshatin Hogosht, “Sadri Misini” në fshatin Shipashnicë dhe shkolla “Dëshmorët e Kombit” në Kamenicë.

Komuna do të organizojë transportin për nxënësit, të cilët jetojnë në lokalitete të ndryshme dhe nga muaji shtator ata do të vijojnë procesin mësimor në këto 8 shkolla. Për këtë Komuna ka shpallur edhe tenderin për transportin e nxënësve dhe nga buxheti i komunës pritet të shpenzohen mbi 200 mijë euro në vit.

Të ngjashme