Konkursi është mbyllur e ankesat kanë filluar. Disa kandidatë që kanë aplikuar e më pas eliminuar në konkursin e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave (AME) për plotësimin e 23 pozitave për zjarrfikës në komunën e Prizrenit, janë ankuar se konkursi ishte i kurdisur, dhe se janë përzgjedhur kandidatë të caktuar, për të cilët është ndërhyrë nga AME’ja, shkruan Gazeta Express.
Një nga ta, që ka kërkuar të jetë anonim. Ka thënë për Gazetën Express, se kanë dyshime që testi për këtë konkurs është shpërndarë tek personat që kishin intervenime në AME.
Madje ai tha se për këtë çështje edhe janë ankuar, por që e njëjta nuk është marr parasysh.
“Konkursi është hapur me 29.09.2020. Jemi njoftuar për test në shkrim. Para kësaj është bërë shpërndarja e testeve tek personat e caktuar. Testi me shkrim është mbajt edhe testi fizik ku aty u bë padrejtësia më e madhe. Kaluan të gjithë dhe asnjëri nuk ra nga testi ndërsa intervistën me gojë i rrëzuan ata që nuk patën intervenime. Desha ta cek që lista është shpërndarë në orën 10 të mbrëmjes. Përveç kësaj është shkelur dhe kuota gjinore. Kemi bëtë ankesë dhe na është refuzuar. Tani jemi ankuar edhe në Inspektoratin e Punës”, ka thënë ai në kushte anonimiteti për Express.
Për këtë gjë janë deklaruar edhe nga AME’ja. Në përgjigjen e tyre për Express, thuhet se e gjithë proceduara e rekrutimit të stafit të ri është zhvilluar në përputhje me Ligjin.
“AME ka hapur konkurs me datë 29 Nëntor 2020, bazuar ne kërkesën e Njësisë Profesionale te Zjarrfikjes dhe Shpëtimit ne Prizren për vendet e lira të punës. Gjithë proceduara e rekrutimit është zhvilluar bazuar ne Ligjin nr. 03/L-212 i Punës, Udhëzimin Administrativ 07/2017 Për rregullimin e procedurave ne sektorin publik si dhe Ligjin për Zjarrfikës dhe Shpëtim nr. 04/L-049”, thuhet ne përgjigjen me shkrim të tyre.
E për të marr pjesë në këtë konkurs, sipas AME’së kanë pasur të drejtë të gjithë pa dallim gjinie dhe etnie.
“Komisioni Profesional për rekrutim ka zbatuar të gjitha procedurat e paraparë me legjislacionin në fuqi dhe në konkursin publik te shpallur, te drejtë konkurrimi kanë pas te gjithë ata qe i plotësojnë kriteret ligjore, pa dallim gjinie dhe përkatësie etnike të specifikuara në konkursin publik i cili ka qenë i publikuar në gazetën ditore si dhe në ëeb faqen e AME-së”, thuhet më tutje në përgjigje.
Ndërsa për sa i përket pakënaqësisë së disa kandidatëve për konkursin, nga AME’ja po thonë se pretendimet e kandidatëve të pakënaqur për shpërndarjen e testit jashtë procedurës ligjore nuk qëndrojnë.
“Ju informojmë se pretendimet e kandidateve te pakënaqur për shpërndarjen e testit jashtë procedurës ligjore nuk qëndrojnë. Kandidatët e pa kënaqur me vlerësimin dhe procedurën e zhvilluar kanë te drejt t’i shfrytëzojnë te gjitha te drejtat e tyre ne organet mbikëqyrëse ne afatet ligjore te parapara. Ju njoftoj se aktualisht ende nuk kanë përfunduar procedurat e ankesave për kandidatë të pa kënaqur”, thuhet më tutje aty.
Ankesë kandidatët kanë dërguar edhe në Inspektoratin e Punës në Prizren. Udhëheqësi i Divizionit të Inspektoratit të Punës në Prizren, Lah Morina ka konfirmuar për Express, se ankesa kanë dërguar tre kandidatë të pakënaqur.
“Me dt.02.03.2021, ne IP-Prizren janë parashtruar nga parashtruesit tre Ankesa :1.F. M.,2.Q. M.,3.E.J. ,në lidhje me pretendimet se u janë cenuar të drejtat me Konkurs, lidhur me themelimin e marrëdhënie së punës, në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent-Njësia profesionale për zjarrfikje dhe shpëtim-NJPZSH Prizren, për vendin e punës zjarrfikës”, ka thënë Morina për Express.
Sipas tij, ky institucion është jokompetent për ta trajtuar çështje. Sipas Morinës, të njëjtit i kanë këshilluar për të ushtruar ankesë brenda afatit ligjor në Inspektoratin e Punës në Prishtinë.
“Inspektorati i Punës, Zyra në Prizren, bazuar në Ligjin për Inspektoratin e Punës nr.2002/09 neni 1,2 dhe 5 dhe nenit 2 dhe nenit 5 paragrafi 2 të ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit të Inspektoratit të Punesa nr.2002/09, Ligjit te Punës nr.03/L-212 nenet 82,83,92,94,Ligjit nr.06/L-114 për zyrtar publik, ligjit 05/l-031 për Procedurën administrative neni 97 paragrafi.2 si dhe paragrafi 3 I nenit 97, inspektorati ka nxjerr vendim me dt.03.02.2021 lidhur me tre Ankesat e te ankuarave drejtuar Inspektoratit të Punës në Prizren duke e shpallur veten JO-KOMPETENT dhe të njëjtit janë drejtuar me këshillë juridike për të ushtruar ankesën brenda afatit ligjor në IP-Prishtinë”, ka thënë më tutje ai.