Kandidatët për kryetar të Mitrovicës janë mbledhur për kafe në veri.
Kësaj iniciative të kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Armend Agolli, i është përgjigjur kundërkandidati nga Partia Demokratike e Kosovës Bedri Hamza dhe përfaqësuesit e Iniciativës Qytetare.
Në takim nuk vërehet prania e kryetarit aktual dhe kandidatit të Vetëvendosjes Agim Bahtiri.
Por, Bahtiri ka thënë se ai nuk do të ketë mundësi të shkojë në takim pasi që në këtë kohë e ka ftuar Këshillin për Siguri në Bashkësi.
“Për shkak të rrethanave të krijuara në veri pas aksionit të policisë, për nesër në ora 9:00 kam të ftuar takim me Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi”.
Ai pati kërkuar që të ndryshohet orari i takimit të propozuar nga Agolli, prej orës 09:00 në ora 10:00.
“Unë sapo bisedova me bartësin e Iniciativës Qytetare Mitrovica dhe pas dakordimit me të, i ftoj z.Agolli dhe z.Hamza që kafen e mëngjesit në veri të Mitrovicës ta pimë nesër së bashku në ora 10:00”.
Kandidati i Lidhjes Demokratike Armend Agolli, ka thënë se e ka organizuar këtë takim që të japë mesazhin se kjo është një garë dhe jo luftë.
“Është mesazh paqeje që ne jemi në garë dhe jo në luftë, ku do të kemi garë me ide, projekte, jo me fyerje dhe nënçmime. Qëllimi që të takohemi në pjesën veriore është që të përçojmë një mesazh paqeje”.
Ndër të tjera qëllim tjetër i takimit është edhe përkrahja e Iniciativës Qytetare në veri ku kandidat për kryetar është Erden Atiq.