Me 15 mars qytetarët e Podujevës do t’i drejtohen kutive të votimit, për të zgjedhur kryetarin e ri të Komunës. Në garë janë vetëm tre kandidatë nga LDK, Vetëvendosje dhe PDK. Ata presin fitore, duke kërkuar besimin e qytetarëve. Njëherit kanë paraqitur edhe programin e tyre qeverisës.
Agim Veliut i mbeti në gjysmë mandati i pestë si kryetar i Podujevës, pas zgjedhjes së tij si ministër i Punëve të Brendshme.
Kjo komunë shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme e të cilat do të mbahen më 15 mars me vetëm tre kandidatë, ai i LDK-së, Nexhmi Rudari, i Vetëvendosjes Shpejtim Bulliqi dhe ai i PDK-së, Naim Fetahu.
Nexhmi Rudari i cili ishte nënkryetar i Komunës së Podujevës, shprehet i bindur për fitore gjersa foli për planprogramin e udhëheqjes.
“Jo vetëm që mendoj por besoj se do të fitoj 100%. Programi im prek të gjitha fushat. Tashmë kemi menduar që premtime të mos jenë vetëm rrugët e kanalizimet por të shkojmë në kërkesa më specifike të qytetarëve siç janë gjelbërimi, parqet, ndriçimi publik, ndërtimi i çerdheve etj.”, deklaroi kandidati i LDK-së, Nexhmi Rudari.
I bindur për fitore shprehet edhe kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi. Ai thotë se qytetarët kanë nevojë për ndryshim të qeverisjes.
“Kemi bërë të gjitha përgatitjet për të fituar këtë garë. Lëvizja Vetëvendosje është një subjekt jashtëzakonisht mirë i organizuar me një strukturë relativisht mirë të shtrirë në gjithë Komunën e Podujevës. Do të japim kontribut në shumë fusha si administratë komunale, bujqësi, arsim, shëndetësi, kulturë e kështu me radhë që janë edhe fushat kryesore”, deklaroi kandidati i LVV-së, Shpejtim Bulliqi.
RTV Dukagjini ka tentuar t’i jap hapësirë edhe kandidatit të PDK-së, Naim Fetahu. Përkundër insistimit për dy ditë, ai nuk gjetur kohë.
E të tre kandidatët, do të mbajnë fushatë 11 ditë e cila do të fillojë më 3 deri më 13 mars.