Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës, nga AKR-ja Gëzim Mehmeti, ka mbajtur një takim me banorët e lagjes “Pejton”. Ai u premtoi rregullim të infrastrukturës, ndërtimin e një çerdheje dhe rritje të transparencës, raporton Ekonomia Online.
Mehmeti tha se ka një lidhje emocionale me lagjen e Pejtonit, pasi që ka jetuar për 14 vjet në këtë lagje.
“Unë e kam një lidhje emocionale me Pejtoni pasi që 14 vite kam banuar këtu dhe është zemra e Prishtinës. Është quajtur Pejton sepse ka pasur një strukturë të veçantë”.
Ai tha se në Pejton parashihet zgjerimi i rrugëve momentale prej 9 metrave, derisa shtoi se do të ketë ndryshime në planin rregullues.
“Nuk është lehtë me realizuar projekte sepse në ‘Pejton’ parashihet zgjerimi i rrugëve që rrugët momentale duhet të kenë një gjerësi prej 9 metrave. Pasi që kemi këtë rrethanë, edhe në plan rregullues ka me pas ndryshime. Vizioni im për Prishtinën ka të bëjë me përvojën time”, tha Mehmeti.
E transparenca ndaj qytetarëve do të jetë e madhe thotë kandidati Mehmeti, derisa thotë se lagja “Pejton” ka përparësi më të madhe se lagjet e tjera pasi që është më afër qendrës.
“Qendrën monitoruese do ta kemi në Prishtinë mirëpo do të kemi transparencë ndaj qytetarëve, në konkurrimin për vendet e punës do të ketë online intervista, transparenca do të rritet dhe do ta kemi më të lehtë menaxhimin e qytetit. Lagja ‘Pejton’ ka disa veçori sepse qendra e qytetit, si hap tjetër do të jetë pjesa e shtigjeve të biçikletës për qarkullim. Kemi paraparë ndërtimin e një çerdheje të re këtu afër”.
Ai tha se e kanë të gatshëm planin për varrezat e qytetit.
“Harta Zonale sipas udhëzimit administrativ parasheh një bonus që në rast se ndërtoni, I tha se në shtator të 2022 do të jetë e gatshme harta zonale”, tha Mehmeti.
Ndërsa, Valbona Ballofci kandidate për asambliste shtoi se “Pejtoni” ka nevojë për nxehjet e Termokosit.
“Kemi nevojë për çështjen e mbeturinave si dhe për nxehjet e Termokos dhe do ta ngre zërin fuqishëm”.