Aleksandar Shapiq, kandidati i listës “Aleksandar Vuçiq – Beogradi nuk duhet të ndalet” për kryetar të Beogradit, ka thënë se Serbia është në prag të luftës civile, duke reaguar ndaj deklaratave të opozitës pro-evropiane serbe se do të bllokojnë punën e institucioneve në atë vend në ditët në vijim.
“Kjo që po bëjnë është një prelud i një lufte civile. Prandaj u kërkoj që të mos e bëjnë. Kemi vuajtur shumë. Lufta civile na shkatërroi. Nuk ka ende pajtim. Nuk duhet të ndodhë më. Kjo është një nxitje në konflikt civil dhe ne nuk duhet ta lejojmë atë”, tha Shapiq, raporton Dnevnik.ba.
Shapiq theksoi se Partia Progresive Serbe (SNS) ka arritur rezultatin më të mirë në zgjedhjet e së dielës në Beograd, me një pjesëmarrje kaq të madhe, dhe shtoi se befasia e zgjedhjeve ishte rezultati i arritur nga Branimir Nestoroviq, por që çdo zgjedhje sjell disa surpriza sepse po mos të ishte kështu zgjedhjet do të ishin të mërzitshme.
Beogradi ka rreth 1.4 milionë votues me të drejtë vote, që është afërsisht një e katërta e totalit të elektoratit në Serbi, kujton agjencia kroate, Hina.
Bartësi i listës “Ne, zëri i popullit” Branimir Nestoroviq tha se pas zgjedhjeve sigurisht që nuk do të ishte në marrëveshje me partitë e mbledhura në koalicionin opozitar “Serbia kundër dhunës”.
“Do të presim rezultatet përfundimtare, nuk do të hynim në koalicion me askënd, sepse për këtë jemi marrë vesh në fillim”, tha Nestoroviq për “Veçernje Novosti”.
Shapiq pretendon se rezultatet e zgjedhjeve për SNS-në mund të ishin edhe më të mira nëse nuk do të ishin ngjarjet e majit dhe se ata do të fitonin më shumë vota në zgjedhjet e së dielës sesa në ato të mëparshme.
“Për sa na përket neve, është e vërtetë që kemi fituar rreth 20 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e mëparshme. Kjo është ajo që kam thënë, pasi kam njoftuar gjithashtu se do të kemi nga 4 deri në 5.5 për qind më shumë se lista e Gjilasit”, tha Shapiq në një paraqitje të ftuar në TV Happy.
Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet fitoi 46.3 përqind të votave në zgjedhjet parlamentare, të cilat do t’i sigurojnë asaj 128 mandate në parlamentin prej 250 vendesh, sipas rezultateve paraprake.
Sipas parashikimeve paszgjedhore, lista SNS fitoi 38.9 për qind në Beograd bazuar në 99.8 për qind të votave të numëruara dhe koalicioni “Serbia kundër dhunës” fitoi 34.6 për qind, ndërsa koalicioni nacionalist NADA doli në vendin e tretë me gjashtë për qind të votave.
Përfaqësuesit e koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës” i dorëzuan RIK-ut (KQZ-së) dëshmi për keqpërdorime të shumta për të mbështetur pretendimet e tyre, duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve në Beograd dhe dy liderët e kësaj liste, Marinika Tepiq dhe Miroslav Aleksiq filluan grevë urie deri në anulimin e zgjedhjeve në Beograd.
Parregullsi të shumta në procesin zgjedhor, përveç opozitës, u vunë në dukje edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë të hënën dhe mijëra njerëz u mblodhën në qendër të Beogradit po të hënën në mbrëmje në një protestë në mbështetje të opozitës për të kërkuar sqarime lidhur me ezultatet e zgjedhjeve në kryeqytetin serb.
Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bënë thirrje Serbisë që të hetojë pretendimet e vëzhguesve ndërkombëtarë për parregullsi zgjedhore.