(Poezi nga Kaltrinë Uka)
Kanë fillue nana dhe baba me u plakë
përditë i shoh tue u thinjë e rrudhun.
Jam ulun ngat tyne
tue përplas ritmin e shpejtë të kohës në nji shteg t’fshehun mbrenda veti.
Vijnë kujtimet me takat e zhurmshme,
nana flokëkafe t’mëndafshtë
baba me flokë të zinj e të dendun.
Shoh që çdo frymë jete u ka përbi të rinë prej gjithkah,
koha u ka rënë përmidis pa ngut
dhe ka mbjellun në hapat e tyne të mëdhenj
hapa të vegjël.
Nji pjesë m’rri t’u jua admirue buzëqeshjen e shpirtit
që koha nuk ka mund me ua ndryshue,
dhe tjetra e shan’ jetën kurrizdalë.
Rri tu i pa,
dhe mbrenda më mblidhet nji gulçim i butë
n’veti m’piqet nji lumni…