Klubi holandez e ka eliminuar Real Madridin dhe Juventusin në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve, mirëpo kapiteni i ri e i talentuar i Ajaxit po kërkon edhe më shumë nga skuadra e tij.
Kapiteni i Ajaxit, Matthijs De Ligt, bëri të ditur se skuadrës së tij nuk i mjaftojnë vetëm triumfet e shfaqura deri më tani, pasi e shtuan edhe Juventusin në listën e klubeve që i kanë mposhtur këtë sezon në skenën evropiane.
Adoleshenti De Ligt e shënoi golin e fitores për Ajaxin, në minutën e 67-të të ndeshjes, duke e përmbysur rezultati në ndeshjen në “Allianz”. Rezultati i mbrëmshëm bëri Ajaxi të kualifikohet në gjysmëfinale me rezultat të përgjithshëm 3:2.
De Ligti u bë lojtari më i ri holandez që shënon gol në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve që nga prilli i vitit 1996, kur Nordin Wooter kishte shënuar për Ajaxin në ndeshjen kundër Panathinaikosit. Për më tepër, holandezi u bë edhe mbrojtësi i dytë më i ri që shënon në këtë fazë të Ligës së Kampionëve, pas Joel Matipit.
Donny van de Beek kishte shënuar para De Ligtit për ta barazuar rezultatin në këtë ndeshje, pas golit të shënuar nga Cristiano Ronaldo. Këto gola bënë që kampioni në fuqi italian t’i bashkohej Real Madridit në listën e klubeve të eliminuara nga Ajaxi këtë sezon.
“Ne kemi ende sfida të tjera përpara – nuk jemi të kënaqur me kaq. Ndeshjet e radhës do të jenë po ashtu të rëndësishme. Nuk mund t’i përshkruaj emocionet që i kemi. Është e pabesueshme që një klub nga Holanda po i tregon botës çfarë mund të bëjë”, u shpreh De Ligt pas ndeshjes.
“E bëmë këtë kundër Bayern Munichut, kundër Real Madridit dhe tani kundër Juventusit. Ne kemi shumë potencial, jemi ende të rinj dhe mendoj se të gjithë e kanë bërë çfarë mund të bëjmë. Mund të kishim shënuar edhe më shumë, mund të kishin fituar me rezultat 4;1 dhe ky është një kompliment i madh për ne”.
Ajaxi u bë ekipi i parë nga jashtë top pesë ligat e mëdha të Evropës që e arrin gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve që nga sezoni 2004/05, kur në këtë fazë arriti klubi tjetër holandez, PSV-ja.
Ajaxi tani do të takohet me Tottenhamin ose Manchester Cityn në gjysmëfinale, pasi arriti të kualifikohet në këtë fazë për herë të parë nga viti 1997 dhe për të nëntën herë në histori të klubit.
Klubi holandez e ka fituar titullin e kampionit të Evropës katër herë më parë, për herë të fundit në vitin 1995.