Ronaldo e gëzon një djalosh para përballjes me Ajaxin

Prishtinë | 11 Pri 2019 | 09:23 | Nga Ekonomia Online

Cristiano Ronaldo gjeti kohë për ta gëzuar një djalosh të vogël, i cili kishte dalë në fushë në përcjellje të lojtarëve të Juventusit, para përballjes me Ajaxin.

Juventusi e barazoi me rezultat 1:1 ndeshjen me Ajaxin, në kuadër të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve. Italianët fillimisht kaluan në epërsi përmes një goli të shënuar nga Cristiano Ronaldo, mirëpo Ajaxi më vonë e barazoi rezultatin.

Megjithatë, nuk ishte vetëm ky gol i yllit portugez që e gëzoi një tifoz të tij, pasi që Ronaldo gjeti kohë për të edhe gjatë kohës sa po intonohej himni i Ligës së Kampionëve.

Djaloshi i vogël ishte përzgjedhur për t’i përcjellë futbollistët e Juventusit në fushë. Atij i ra t’i rrinte afër Leonardo Bonuccit, ndërsa në krahun e tij të djathtë e kishte Cristiano Ronaldo, të cilin nuk mundi të rezistonte pa e shikuar.

Sapo e vërejti këtë gjë, Ronaldo reagoi duke e zgjatur dorën e tij për ta ledhatuar vogëlushin, veprim ky për të cilin portugezi ka marrë shumë lëvdata në rrjetet sociale.

“Kjo është videoja më e mirë që do ta shikoni sot. Kjo është diçka shumë e thjeshtë nga Ronaldo, por ky djalosh do ta mbajë mend këtë moment gjatë gjithë jetës së tij. Pamja në fytyrën e tij tregon gjithçka”, shkruan FutbolBible.

Ronaldo është golashënuesi më i mirë në histori të Ligës së Kampionëve. Në total, Ronaldo tani i ka 64 gola në fazën e eliminimit direkt, tri më shumë se në fazën grupore (61). Prej tyre, 23 i ka shënuar në 1/8 e finaleve, 24 në çerekfinale, 13 në gjysmëfinale dhe katër në finale. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme