Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut të premten ka njoftuar se ndeshja gjysmëfinale e plejofit për “Euro 2020” me Kosovën do të luhet më 4 qershor në Shkup.
Për këtë ndeshje të premten nuk ka folur kapiteni i Maqedonisë së Veriut, Goran Pandev. Sulmuesi Pandev luan në Itali, vend që është goditur rëndë nga koronavirusi.
Mediumi maqedonas, Sportmedia.mk, ka kontaktuar me Pandevin për ta pyetur për ndeshjen me Kosovën. Por ai ka folur për gjendjen e rëndë që është krijuar në Itali nga përhapja e koronavirusit. Ka thënë se tani askush nuk mendon për futbollin.
Pandev 36-vjeçar luan për Genoan.
“Nuk ka futboll. Askush nuk mendon për futbollin. Do të flasim për futbollin kur kushtet të krijohen për këtë. Tani gjëja më e rëndësishme është të qëndrojmë në shtëpi dhe të mposhtim këtë virus”, ka thënë Pandev.
Ai më herët kishte kundërshtuar që ndeshja Maqedoni – Kosovë të luhet pa shikues. Pandev e ka ëndërr që me Maqedoninë të luajë në Evropian. Për këtë ka shtyrë pensionimin.