Në fillim të kësaj jave Përfaqësuesja A e Kosovës në basketboll ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet e fundit eliminatore të botërorit “Kina 2019”.
Në stërvitjen e parë, prej 15 lojtarëve, të pranishëm ishin edhe katër që janë ftuar për herë të parë, shkruan Koha Ditore.
Në mesin e tyre ishte edhe qendra Dardan Kapiti (205 cm).
Kapiti, 18-vjeçar, është lojtari më i ri në listën që seleksionuesi Brad Greenberg e ka publikuar për ndeshjet me Hungarinë (28 qershor) dhe Poloninë (1 korrik) në Prishtinë në kuadër të Grupit C, ku bën pjesë edhe Përfaqësuesja e Lituanisë.