Objekti i Fakultetit të Shkencave Matematikore-Natyrore (FShMN) i UP-së është përfshirë nga një zjarr, sot pasdite.
Ekipet e zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar zjarrin. Mësohet se zjarri është shkaktuar nga kontejnerët, e më pas ka kapluar fasadën e objektit, një pjesë të cilit e shfrytëzon edhe Fakulteti i Filologjisë.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka dalë në vendngjarje për të parë nga afër dëmet që janë shkaktuar nga zjarri në këtë objekt, i cili frekuentohet çdo ditë nga qindra studentë, ndërsa ka kërkuar që sa më shpejt të mësohen shkaqet e këtij dëmi që i është bërë universitetit më të madh publik në vend.
Bytyqi ka thënë se do t’i shqyrtojnë shkaqet e zjarrit dhe do t’i vlerësojnë dëmet. Ministri tha se duhet të shohin fillimisht shkaqet e mandej të marrin masa, raporton Ekonomia Online.
“Akoma nuk është saktësuar se si ka ardhur deri tek kjo situatë megjithatë beso që shuam shpejto të kemi informacione nga personat kompetentë. Së pari jem të interesuar të dimë shkaqet se pse ka ardhur deri tek kjo pastaj normalisht se duhet ta vlerësojmë edhe dëmin që ka shkaktuar fakultetit. E mira është që sipas informacionit që po na jep dekani është që nuk ka ndodhur ndonjë dëm brenda objekteve gjithçka është jashtë objekteve. Kjo është diçka më e lehtë se sa besuam ne”.
Dekanja e Fakultetit Filologjik, Lindita Rugova, tha që dyshohet se prej kontejnerëve ka ardhur zjarri, gjithashtu ajo ka thënë se është dëmtuar fasada e jashtme.
Rugova tha se nuk ka dëme në njerëz e as në laboratorë e kabinete.
“Fatkeqësisht edhe unë njësoj si ju erdha në momentin kur zjarrfikësit veç kishin filluar me shuar zjarrin kam qenë me një takim dhe më telefonuan nga shërbimi i studentëve dhe nga administrata e fakultetit që fasada e pjesës së albanologjisë po digjet”.
“Vrapuam të gjithë menjëherë, zjarrfikësit kishin qenë tashëm këtu, sepse është ndërtesë e madhe dhe në pjesën tjetër nuk dëgjohet nuk ndihet se çka po ndodh në këtë pjesë. Fatmirësisht nuk ka shkaktuar në instalacion të rrymës se ka mundur me ndez krejt ndërtesën ka mundur me shkaktua dëme edhe më të mëdha edhe në njerëz. Kjo puna e kontejnerëve që janë të vendosur afër ndërtesës, këta kontejnerë siç duket njerëzit po i shfrytëzojnë edhe nga lagjet përreth po hedhin mbeturina të cilat ndoshta nuk do të duhej të ishin këtu afër një institucioni siç është Fakulteti i Filologjisë. Nuk kam fjalë, mbeturinat përreth kontejnerëve e kanë shkaktuar zjarrin”.