Ditë më parë, pas një rishikimi të gjatë dhe mes shumë polemikave në sektorin financiar, komisioni i këmbimit të letrave me vlerë në SHBA miratoi bitcoin të tregtohet nga fondet e regjistruara që kanë në dispozicion asetin në fjalë.
Megjithëse, vizioni dhe misioni primar i bitcoin sipas asaj që e quajmë ‘whitepaper’ ose siç ndryshe njihet edhe si ‘udhërëfyesi i produktit’ ishte që bitcoin, mes tjerash të shërbej si një mjet për pagesat direkte apo të decentralizuara, duke rivalizuar palët e treta siç ndryshe i njohim institucionet bankare.
Pra qëllimi i bitcoin në fillim ishte mjaft i thjeshtë, të shërbej si pagesë direkte (në anglisht ‘peer to peer’) pa patur nevojë që pagesat me kosto shtesë të silleshin vërdall nga banka lokale tek ato qendrore e deri në ato ndërkombëtare.
Ndërsa sot si asnjëherë më parë, bitcoin i ngjan më shumë një aseti strategjik (sic konsiderohet ari) se sa një valute digjitale për pagesa të shpejta, apo decentralizuara, për të cilën promovohet masivisht.
Edhe pse rrugëtimi i tij ka pasur shumë ulje-ngritje, bitcoin ka arritur t’i mbijetojë çdo sfide duke rritur vlerën e tij njëkohësisht, dhe duke marr parasysh gjitha këto, udhëtimi nuk ishte fare i lehtë për kripto-entuziastët anembanë globit.
Nga lajmet e rreme deri tek tendencat manipuluese nga shumë individë dhe kompani fantome. Rasti i fundit me Sam Bankman Fried i cili po gjykohet për mashtrim dhe manipulim nëpërmjet kompanisë së tij tashmë të falimentuar FTX na ri-kujton skemën e tmerrshme piramidale të Shqipërisë së viteve ’90-ta.
Pamvarsisht sfidave të shumta, bitcoin rikthehet fuqishëm mu në kulmin e krizës globale gjatë izolimit nga pandemia. Me 18 Tetor 2021 bitcoin arrin vlera stratosferike në treg, ku 1 btc tregtohej me 66.900 dollar.
Megjithatë bitcoin pësoi luhatje të mëdha që nga ajo kohë, dhe vetëm një vit më vonë, me 24 Tetor 2022 bitcoin humbet 70% e vlerës që kishte duke u tregtuar për vetëm 19.200 dollar për 1 Bitcoin dhe kjo vazhdon të jetë njëra nga dobësitë më të mëdha që karakterizon këtë aset.
Ndërsa sot gjersa flasim, bitcoin ka fare pak përdorim në sektorin e pagesave ndërkombëtare, (pra ende nuk shërben si mjet për blerjen dhe shitjen e mallrave globale).
Për më tepër, asnjë kompani serioze nuk e pranon bitcoin si mjet pagese, jo vetëm për shkak te spekulimeve mbi vlerën reale që mund ta ketë bitcoin por edhe veçorive tjera, ndër to vecojmë: zbatueshmëria dhe mirëmbajtja e asetit
Zbatueshmëria: Dy vite me parë, Bloomberg raportonte se Tesla bëhet brendi më i njohur që pranon bitcoin si mjet pagese. Kjo padyshim se përbënte një lajm fantastik për tregun e gjerë, por Tesla shumë shpejt anulon vendimin duke u arsyetuar zyrtarisht se “pezullimi i bitcoin bëhet për shkak të shqetësimeve klimatike’
Ndërsa Apple, pas rishqyrtimit mbi atë se a të pranoj apo jo bitcoin si mundësi pagese për produktet e saj, vendos të mos e pranoj deri në një vendim tjetër. E tëra kjo për shkak të luhatjeve të medha të vlerave që konsiderohen spekulative mbi atë se sa realisht vlen një bitcoin në treg.
Mirëmbajtja e asetit: Specifikat mbi mirëmbajtjen e bitcoin mbeten një risk potencial për shumë investitorë individual. Kjo për shkak se bitcoin ka një protokol të vecant se si duhet kujdesur për të. Rregulli i parë, fjalëkalimi nuk ndryshohet, dhe rregulli i dytë, duhet së pari instaluar portofolin elektronik dhe kjo arrihet duke përdorur një kod apo çelës privat.
Se si nuk duhet nënvlerësuar specifikat e bitcoin, do i referohem rastit të raportuar nga Wall Street Journal. Inovatori Stefan Thomas, edhe pse inxhinier softverik me profesion ai zyrtarisht i ka të bllokuar 7,000 Bitcoin, (rreth 225 milionë dollar me vlerën që sot ka bitcoin). Kjo për faktin se ai thjesht ka harruar fjalëkalimin e portofolit digjital. Na pëlqeu kjo apo jo, por fjalëkalimi nuk mund të ndryshohet tek bitcoin.
Duket e thjeshtë por konsideroni si qendroni me memorien para se të investoni në bitcoin.
Në fund fare, nga një rrugëtim i gjatë me plot batica dhe zbatica për bitcoin, e tëra cfarë mund të konkludojmë është se vizioni dhe e ardhmja e asetit më të ri në treg vazhdon të ndërlidhet me anonimitetin e krijuesit të tij, novatorit për të cilin të gjithë kemi ndëgjuar ngapak por askush nuk di më shumë, z.Satoshi Nakamoto.