Kombëtarja e Kosovës në karate do të marrë pjesë në Karate 1 Premier Ligën, e cila prej nesër e deri më 2 maj do të mbahet në Lisbonë të Portugalisë.
Kosova në këtë garë prestigjioze do të përfaqësohet me karateistët Herolind Nishevci (+84 kg), Elhami Shabani (-75 kg), Fortesa Orana (+68 kg), Adelina Rama (-61 kg) dhe Albulena Gërvalla (-55 kg).
Ndërsa, ekipi do të udhëhiqet nga trajneri Isak Curri.
Kjo garë është e një rëndësie të madhe pasi është e vlefshme për pikë olimpike “Tokio 2020”.
Ndarjen e drejtësisë në Lisbonë 2021 do ta bëjë edhe gjyqtari ndërkombëtar nga Kosova, Ardian Muhadri.
Garuesit kosovarë kanë ushtruar vazhdimisht kohëve të fundit dhe shprehen optimistë për medalje në këtë garë.
Nëse jo medalje, për ta do të ishte e rëndësishme po ashtu të shkojnë sa më larg në këtë eveniment pasi do të fitonin pikë për ta fituar normën olimpike.