Përgatitja për intervista live përmes platformave sociale

Prishtinë | 10 Maj 2020 | 17:53 | Nga Sherife Kçiku Vishaj

Në këtë kohë pandemie, mediat po bëjnë një punë të jashtëzakonshme, dhe ajo çfarë vërehet  në masë të madhe janë lidhjet e drejtpërdrejta me platforma të ndryshme sociale.

Nga ana e mirë e këtyre lidhjeve të shumta, ka edhe gjëra që duhet përmirësuar tek një numër i atyre që pranojnë të jenë pjesë intervistave në këtë formë.

Si të bëhemi gati për një intervistë të tillë?

Padyshim elementi bazë është që të përgatiteni mirë për temën dhe duhet të insistoni që ta arrini ta përqoni mesazhin e dëshiruar. 

Duke e marrë parasysh që paraqitja në media ka përfitime të shumta, pasi që keni mundësi të komunikoni me një numër të madh të targetit tuaj, duhet të jeni sa më serioz në mënyrë që të fitoni reputacion në publik.

Përgatitja e të folurit ka specifika të shumta, por meqë jemi në një situatë pandemie do të fokusohemi se si duhet të përgatiteni për të folur apo dhënë deklaratë mediave nga distanca. 

Për tu paraqitur për një lidhje live qoftë për të dhënë informacione të profesionit apo biznesit tuaj varësisht nga interesimi i medias ju duhet të keni parasysh disa pika që të përgatiteni.

Tregohuni serioz, respektojeni mediumin dhe audiencën, mos dilni në lidhje të drejtpërdrejta pa respektuar kodin e veshjes, edhe pse jeni në kushte shtëpie. 

Rëndësia e veshjes dhe grimit

P.sh, në qoftë se tema për të cilën jeni i ftuar të flisni ka të bëjë më zhvillime të rëndësishme politike për shtetin, duhet gjithsesi të tregoni seriozitet dhe në aspektin e veshjes, dhe të mos dilni me bluza sportive e të ngjashme.

Sigurisht që për gratë është paksa më e komplikuar kjo formë e komunikimit, sepse edhe për pak minuta lidhje të drejtpërdrejtë ne TV, duhen të përgatiten edhe me grimin e duhur.

Por në kushte shtëpie grimi mund te jetë më i thjeshtë që tregon respektim të mediumit dhe audiencës. 

Prapavija  

Gjithsesi, vëmendje duhet t’i kushtoni edhe prapavijës nga e bëni lidhjen live, sepse edhe kjo ka domethënien e vet. Përpiquni që në prapavijën tuaj te mos ketë piktura, foto, apo diçka ngjashëm sepse do ta tërheqin vëmendjen e shikuesit, përpiquni që ju të jeni i vetmi që do ta keni vëmendjen e audiencës.

Cilësia e pamjes dhe zërit

Cilësia e pamjes ka po ashtu vlerë të madhe dhe tekonologjia e mundëson që secili që ka një pajisje si smartphone, PC apo laptop, ta testojë atë para se të bëhet lidhja ne mënyrë që të dal sa ma mirë.

Cilësia e zërit është jashtëzakonisht e rëndësishme, dhe për këtë padyshim që duhet një kujdes sepse për shikuesin nëse nuk dëgjohet mirë se çka thuhet atëherë intervista mund të jetë pa efekt.

Përpiquni që të jeni më i shkurtë në përgjigje dhe në qëndrime kur komunikoni në lidhje të tilla, sepse kjo dallon nga prezenca fizike në studio televizive.

Kontrollimi i gjestikulacioneve 

Provoni që t’iu shmangeni gjestikulacioneve të ndryshme gjatë kohës sa jeni në lidhje të drejtpërdrejt.

Mos bëni shumë lëvizje me duar dhe kokë apo trup, sepse me rendësi është që të përqoni mesazhin për aq kohë të shkurt sa keni në dispozicion.

Mbajeni mend mesazhi që do të jepni në lidhje të tilla të drejtpërdrejta është shumë i rëndësishëm, por edhe paraqitja para audiencës, pavarësisht nga kushtet e shtëpisë, është e madhe, tregon respekt dhe seriozitet.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme