Kreu i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka nisur një proces të reformës rrënjësore në arsim në këtë komunë.
Për këtë, Kastrati synon t’i bëjë vendimmarrës direkt qytetarët e këtij qyteti. Kësisoj ka nisur një kërkesë në KQZ me çka i kërkon që t’i lejohet mbajtja e një referendumi.
Reforma nënkupton fuzionim të shkollave. Kështu do të mbeten jashtë procesit mësimor edhe disa mësimdhënës, për të cilët thotë se ose do të
“Të premten i kam nisur KQZ-së kërkesën për organizim të referendumit konsultativ për reformë në arsim. Arsimi është një nga problemet akute dhe prioriteti më i lartë në Kamenicë. Prandaj e konsideroj të domosdoshme që qytetari i komunës sonë të përfshihet drejtpërdrejt në vendimmarrje rreth reformës të cilën duam ta ndërmarrim”, ka thënë Kastrati, në një postim në profilin e tij në Facebook.
Ai ka thënë se “reforma e propozuar është komplekse dhe po të mendoja thjesht si politikan karriere nuk do të kisha asnjë arsye t’i futem kësaj sfide”.
“Por në situatën ku jemi, dhe gjendjen ku është katandisur arsimi dhe në çfarë kushte mësojnë nxënësit; është bërë e pashmangshme. Sakrificat që koha i kërkon prej nesh janë të natyrave të ndryshme. Dikur sakrifica për të ardhmen ishte përpjekje për liri, sot ajo është përkushtim që liria të mos jetë thjesht e kundërta e pushtimit, por ndërtimi i jetës e hapja e perspektivës”, ka thënë Kastrati.
“Kjo reformë është perspektiva për të cilën do të punojmë. Kjo reformë, për mua është më shumë sesa qeverisje, është kauzë për të cilën kemi punuar me seriozitet. Andaj, së bashku mund të vendosim për të ardhme më të mirë të fëmijëve tanë dhe komunitetit në përgjithësi”, ka thënë më tej.
Në letrën që e ka adresuar te KQZ-ja, është edhe arsyetimi për referendum që përthekon edhe përshkrim të gjendjes së arsimit në këtë komunë.
“Në mënyrë që asnjë klasë në Komunën e Kamenicës mos t’i ketë më pak se 20 nxënës; që asnjë shkollë të mos ketë më pak se dy paralele për çdo vit klasor; ashtu që shkollat të jenë të pajisura me laboratorë, hapësira rekreative, biblioteka e palestra sportive, kemi paraparë fuzionimin e shkollave. Ky fuzionim parasheh që prej 17 shkollave që i kanë edhe 12 paralele të ndara, Kamenica t’i ketë gjithsej 10 shkolla. Ky fuzionim mundëson që të zbatohet ndarja e paraparë me ligj midis shkollës fillore (nga klasa I deri ne VI) dhe shkollës së mesme të ulët (nga klasa VI deri IX). Pra, nga 10 shkolla, 5 prej tyre do të jenë shkolla fillore dhe 5 të tjera shkolla të mesme të ulëta. Bashkimi i nxënësve do të sigurojë zbatimin e kurrikulës sepse do ta kthejë gjallërinë e dëshirën për ambientet shkollore që gumëzhijnë. Bashkimi i nxënësve do t’ua sigurojë atyre arsimtarët më të kualifikuar, prandaj do të kemi edhe zbatim më cilësor të kurrikulës. Ne tashmë kemi planifikuar që bartja e nxënësve nga vendbanimi në shkollë të bëhet në mënyrë të organizuar nga komuna”, ka shkruar Kastrati në letër.
E ka treguar se “kjo reformë, fatkeqësisht, nxjerr nga procesi mësimor dhe vendi i punës një pjesë të mësimdhënësve, por ne jemi kujdesur që të gjejmë forma që disa prej tyre të angazhohen në mësime plotësuese, kurse të tjerët të paguhen me 70-80% të pagës deri në pensionim apo angazhim në ndonjë punë tjetër”.