Kastrati: Hyrja në fuqi e MSA-së ndër lajmet më të rëndësishme

Prishtinë | 24 Nën 2016 | 15:14 | Nga

Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Avni Kastrati, mori pjesë në punëtorinë me temën “Marrëveshja e Stabilizim Asocimit dhe kërkesat e tregut të BE-së për sektorin e produkteve të ndërtimtarisë”.

Zëvendësministri Kastrati, me këtë rast, tha se hyrja në fuqi e MSA-së në fillim të prillit të këtij viti ishte njëri ndër lajmet më të rëndësishme për Kosovën.

“Ky zhvillim përveç rezultateve të rëndësishme ekonomike që do të prodhojë në periudhën vijuese, është padyshim edhe një arritje e madhe politike e Republikës së Kosovës në raportet tona tashmë të shndërruara në kontratë formale me BE-në”, tha zëvendësministri i MTI-së.

Në këtë takim u bisedua rreth implementimit të MSA-së, Kastrati tha se ky është njëkohësisht fillimi i një procesi sfidues, por të pakthyeshëm për Kosovën – si shtet i ri, i cili po forcohet dita-ditës falë përkushtimit dhe orientimeve të qarta drejt vlerave euro-integruese.

Ai theksoi se është e rëndësishme të bëhet e qartë se përveç përfitimeve që Kosova do t’i ketë si palë nënshkruese e MSA-së do të ketë edhe obligime.

“Ne kemi po ashtu edhe obligime të rëndësishme të cilat duhet t’i përmbushim, duke u sjellë si një shtet përgjegjës dhe i vendosur për çuarjen përpara të reformave të gjithanshme strukturore, reforma të cilat do të na mundësojnë që ekonomia jonë të futet në binarët e zhvillimit kualitativ duke u bërë e denjë të ndërveprojë suksesshëm me tregjet e zhvilluara të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Ashtu siç e kemi bërë të ditur edhe më herët, MSA-ja ka si objektiv final që brenda periudhës 10 vjeçare të krijoj zonën e tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe vendeve të Bashkimit Evropian”, ka thënë zëvendësministri Kastrati.

Sipas tij, me hyrjen në fuqi të MSA-së, produkteve të Kosovës iu mundësua qasje e plotë në tregun e BE-së (përveç një numri sosh që kanë kufizime sasiore), pra një treg prej 500 milionë konsumatorësh në 28 shtete anëtare, ndërsa në anën tjetër liberalizimi i tregut të Kosovës për produktet e Bashkimit Evropian do të bëhet në mënyrë graduale.

Përveç kësaj, sipas zëvendësministrit, vlen të përmendet se një pjesë e ndihmës financiare të BE-së do të kanalizohet edhe në formë të grandeve që do t’u shpërndahen sektorëve industrialë, përfshirë sektorin e produkteve ndërtimore, për të rritur produktivitetin dhe përmirësuar cilësinë.
“Me këtë rast, dëshiroj të konfirmoj para jush përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vazhduar me vendosmëri me reformat e gjithëmbarshme në të cilat jemi të angazhuar, rezultati i të cilave do ta çojë ekonominë e vendit në rrugën e prosperitetit dhe të mirëqenies për të gjithë qytetarët e vendit”, potencoi zëvendësministri Kastrati.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme