Deputeti i PDK-së Ardian Kastrati mes tjerash ka thënë se demanti më i fortë për këtë pohim është ikja masive e qytetarëve nga vendi.
“Po të kishte vende pune njerëzit nuk do të shkonin në Perëndim për të kërkuar punë”, ka thënë ai.
“MASHTRIMET DHE RRENAT E RADHËS: Albin Kurti paska thënë që i ka krijuar 87.000 vende të reja të punës dhe e ka rritur buxhetin për 3 vite 1 miliardë euro. E vërteta është që buxheti është rritur për shkak të rritjes së çmimeve, dhe jo për shkak të rritjes së volumit të ekonomisë. SUPER MASHTRIM!”, ka thënë Kastrati.
Ai ka krahasuar këtë ikje me ikjen masive të arbëreshëve, ikjen e shqiptarëve në kohën e Millosheviçit dhe me ikjen e sirianëve apo afganëve nga vendet e tyre.
Lidhur me pretendimin e Kurtit për rritjen 1 miliard euro të buxhetit Kastrati ka konstatuar se rritja nominale ekonomike nuk ka ardhë si rezultat i rritjes së volumit ekonomik por si pasojë e rritjes së çmimeve.
Për ilustrim ai ka marrë shembull një familje katër anëtarëshe me dy rroga mesatare nga 500 euro në arsim.
Për ta mbrojtur konstatimin e tij ai ka ftuar për krahasim se sa i ka paguar përmes TVSH-së familja katër anëtarëshe buxhetit të shtetit për konsumin e tyre mujor në kohën kur çmimet ishin më të ulëta dhe sa i paguajnë ata tani buxhetit të shtetit kur çmimet janë gati 100% më të shtrenjta, ndërsa pagat mbesin të njëjtat.
Sipas Kastratit, buxheti është rritur si pasojë e rritjes së çmimeve dhe këto çmime i kanë paguar vet qytetarët nga xhepi i tyre.
“Kësisoj, në njërën anë është rritur buxheti i shtetit i cili ka mbetur i pashfrytëzuar si turrshi për shkak paaftësisë së qeverisë me realizu projekte , por në anën tjetër është varfëruar kuleta e qytetarëve ” ka përfunduar Kastrati.