Kastrati i kërkon zyrës së BE-së ndihmë për ndërtimin e një shkolle gjithpërfshirëse

Prishtinë | 09 Pri 2018 | 09:56 | Nga

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, së bashku me nënkryetarin e Komunës, Bojan Stamenkoviq, i janë drejtuar me një letër Zyrës së BE-së në Kosovë nga e cila kërkojnë ndihmë financiare për ndërtimin e një shkolle për të gjithë nxënësit e Kamenicës, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.

Në letër, Kastrati e Stamenkoviq kanë shkruar se sistemi paralel serb i shkollimit, si dhe ndasitë fizike, janë dy nga pengesat kryesore të ndërveprimit të rrallë mes fëmijëve të dy grupeve.

“Për të ndërtuar marrëdhënie të sinqerta ndëretnike, është shumë e rëndësishme të fillojmë me rininë. Të fillojme aty ku fëmijët tanë edukohen. Është e domosdoshme që të rinjtë e të gjitha komuniteteve, pa përjashtim, ta kalojnë përditshmërinë së bashku në një mjedis të përbashkët edukativ dhe argëtues. Kjo mundëson që komunikimi dhe ndërveprimi të jetë më konkret”, ka shkruar Kastrati.

Më tej në letër thuhet se fatkeqësisht, sistemi edukativ në Kosovë vuan nga analfabetizmi funksional, infrastruktura e keqe shkollore, pagat e ulëta për mësuesit, dhe planprogramet e vjetruara, që krijojnë një rreth vicioz.

Dhe kjo është arsyeja që sipas Kastratit ka bërë që ekipi i tij qeverisës të jenë të interesuar që sistemi i tyre shkollor të jetë i barabartë dhe gjithëpërfshirës.

“Në Kamenicë nxënësit e komunës sonë nuk e ndajnë një mjedis të përbashkët mësimi. Serbët, goranët, dhe romët e ndajnë një ndërtesë ku zhvillohet mësimi fillor dhe ai i mesëm. Shqiptarët ndjekin shkollën fillore aty afër, ndërsa të mesmen në dy ndërtesa të tjera matanë rrugës. Në vizitat tona në këto shkolla kemi vërejtur që shkolla fillore shqipe është në rrezik të madh sepse ndërtesa është shumë e vjetër dhe e pamirëmbajtur, një arsye shtesë pse bëjmë thirrje që ky projekt të mbështetet e implementohet”, theksohet në letër.

Kryetari i Kamenicës në letër ka thënë se ai ka ndërmarrë iniciativën për të ndërtuar një objekt krejtësisht të ri shkollor për të gjithë nxënësit e Kamenicës, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.

“Pasi që buxheti i Komunës sonë për investime kapitale është rreth vetëm 800,000 euro në vit, ne nuk do të mund t’ia dalim vetëm. Sidoqoftë, meqë interesimi ynë për realizimin e këtij projekti është serioz, ne zotohemi që ta mbulojmë financiarisht projektimin arkitektonik të ndërtesës së shkollës, si dhe angazhimin e kapaciteteve njerëzore të administrates në realizimin e projektit duke ofruar kapacitetet tona”, ka shkruar kryetari Kastrati.

Më tej, Kastrati ka shpjeguar se këto hapësira do të mund të përdoreshin nga të gjitha komunitetet etnike të Kamenicës.

“Ne synojmë t’i afrojmë qytetarët në një hapësirë edukative të përbashkët, ku ata jo vetëm që do të mësonin së bashku, por edhe do të njiheshin me interesimet, kulturën dhe qëndrimet e njëri-tjetrit. Përmes këtij procesi, do të gjendeshin vlerat dhe synimet e përbashkëta që do ta mundësonin një bashkëjetesë më substanciale”, thuhet ndër të tjerash në letër.

Në këtë letër në pika të shkurta është përshkruar edhe se çfarë planifikohet që të ketë ky objekt shkollor gjithpërfshirës në Kamenicë.

“Klasa interaktive, biblioteka me literaturë diverse, laboratorë modernë për shkencë dhe inovacion, salla të sportit gjithëpërfshirëse dhe pishina, hapësira të gjelbëruara për lojëra, dhe një stadium me standarde europiane”, shkruhet në letër.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme