Kastrati: Kosova do ta miratojë shpejt tregtinë e lirë me Turqinë

Prizren | 23 Sht 2016 | 13:23 | Nga

Në ditën e dytë të Forumit të Biznesit në Prizren, zyrtarë të institucioneve të Kosovës kanë prezantuar para investitorëve potencialë, mundësitë për investime në Kosovë.

Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Avni Kastrati, duke folur në një konferencë të organizuar në kuadër të Forumit, thaë se Kosova është një shtet që ka afërsi me portet e rëndësishme rajonale, siç janë Porti i Durrësit, Selaniku apo Tivatit, e që të gjithë janë larg vetëm rreth 250 km.

“Posaçërisht në Portin e Durrësit arrihet lehtë e shpejtë për shkak të autostradës”, potencoi Kastrati.

Ai përmendi marrëveshjen e CEFTA-s që Kosova me vendet rajonale për tregti pa doganë, si dhe nënshkrimin e MSA-së.

“Njëherit nga Kosova mund të eksportohet pa doganë në SHBA, Japoni e Norvegji për shkak të marrëveshjeve me shtetet përkatëse që i ka Kosova”, rikujtoi zv.ministri Kastrati.

Kastrati tha se pret që shumë shpejt të hyjë në fuqi marrëveshja për tregti të lirë ndërmjet Kosovës e Turqisë. Parlamenti i Turqisë e ka miratuar marrëveshjen, kurse pritet tani ta bëjë të njëjtën gjë edhe Parlamenti i Kosovës.

“Dokumenti ndodhet në kabinetin e presidentit Thaçi dhe shpresoj se do të miratohet shumë shpejtë për të bërë tregti të lirë pa doganë”, u shpreh Kastrati.

Kurse nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Lulzim Kabashi, tha para investitorëve se Prizreni është një qytet i kulturës, i cili mes tjerash njihet edhe për festivalin ndër 20 më të rëndësishmit në botë – Dokufest.

Prandaj, ai tha se për qytetin nevojitet ndërtimi i sa më shumë kapaciteteve hoteliere, për shkak se qyteti ka nevojë pas rritjes së numrit të turistëve.

Mensur Bektic, kryetari i Odës së Ndërmarrësisë së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), përmendi vizat si pengesë për zhvillimin e biznesit ndërmjet BeH dhe Kosovës. Prandaj ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës heqjen e vizave për qytetarët nga Bosnja.

“Propozoj heqjen e vizave për qytetarët nga Bosnja e Hercegovina, sepse Qeveria e Kosovës këtë mund të bëjë shumë lehtë, për dallim nga Bosnja, për shkak të strukturës politike që ekziston tek ne”, tha ai.

Ai tha se që nga viti 2014 kur është vendosur regjimi i vizave për qytetarët e Bosnjes, është krijuar pengesë në zhvillimin e biznesit. Ai theksoi se Kosova është ndër shtetet e pakta me të cilën Bosnja ka suficit tregtar, prandaj e sheh të rëndësishëm zhvillimin e biznesit, pa barriera.

Kurse kryetari i Shoqatës Ndërkombëtare të Afaristëve Turq dhe Ballkanas (Batuder), Akën Kazancogllu, tha se është hera e tretë me radhë që merr pjesë në Forumin e Biznesit në Prizren.

“Në kohën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës kam bërë një studim të para-fizibilitetit të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Kemi thënë atëherë që me rëndësi është investimi në turizëm, për shkak të bukurive të rralla natyrore që i ka Kosova si dhe investimet në kulturat bujqësore”.

Ai tha se që nga ajo kohë ka zhvillim në këtë aspekt, por jo sa duhet.

Gjatë ditës së dytë të Forumit të Biznesit në Prizren, përveç që po vazhdon panairi i prodhimeve, po mbahen edhe takime B2B (biznes për biznes) ku afaristët vendorë takohen ballë për ballë me investitorët potencialë nga rajoni e më gjerë.

Foto nga hapja e Panairit:

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme