Kastrati: Qasja në financa, barriera kryesore e grave në ndërmarrësi

Prishtinë | 12 Mar 2017 | 09:07 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mungesa e qasjes në financa, pamundësia që të trashëgojnë një pronë në familjet e tyre, kujdesi për fëmijët dhe pleqtë, kanë bërë që gratë në Kosovë të kenë një përfshirje të ulët në tregun e punës dhe në hapjen e bizneseve.

Kështu ka deklaruar në një intervistë për Ekonomia Online drejtoresha e Odës Ekonomike të Grave të Kosovës, Lendita Kastrati. Ajo ka theksuar se në sferën e ndërmarrësisë një prej barrierave kryesore e grave është mungesa e qasjes në financa. Ndërkaq pushimi i lehonisë është problemi kryesor i punësimit të grave në sektorin privat.

“Ende kemi përqindjen më të vogël në rajon të ndërmarrjeve të regjistruara në pronësi të grave. Sa i përket tregut të punës sipas një hulumtimi ka dalë që vetëm 20 për qind të grave janë në të përfshira në tregun e punës”, ka thënë ajo.

“Një prej problemeve kryesore ka qenë që gratë duhet të kujdesen për fëmijët, për pleqtë dhe këto janë dy prej gjërave të cilat i privojnë gratë që të kyçen në tregun e punës. Dhe për këtë tek Ligji i Punës, kapitulli i lehonisë, i cili obligon bizneset që gjashtë muaj të financojnë gratë punëtore të tyre gjatë kohës së lehonisë, kjo e ka zvogëluar dukshëm punësimin e grave në sektorin privat”, ka theksuar ajo.

Kastrati ka deklaruar se aktualisht janë duke u munduar që të bëjnë ndryshimin e kapitullit të lehonisë në Ligjin e Punës, në mënyrë që bizneset të jenë më pak të ngarkuara me këtë obligim ligjor dhe që të ndikojë në zbutjen e papunësisë tek gratë.

Ajo ka folur edhe për sukseset e grave ndërmarrëse të vendit në panairet ndërkombëtare, duke thënë se tanimë ato janë bërë pjesë e protalit ndërkombëtar  “She Trades”, i cili mundëson krijimin e lidhjeve të grave ndermarrëse nga e gjithë bota.

INTERVISAT E PLOTË

EO: E dijmë që gratë e Kosovës kanë vështirësi të ne qasje në tregun e punës , cilat janë barrierat me të cilat përballen ato? A po bëhet më shumë për gratë.

Kastrati: Pjesëmarrja e grave si në ndërmarrësi po ashtu edhe në tregun e punës është shumë e ulët. Në sferën e ndërmarrsisë një prej barrierave kryesore është mungesa e qasjes në financa dhe kjo ka rezultuar si pasojë e mungesës së kolateralit te gratë, duke qenë që në Kosovë vetëm 17 për qind të grave kanë trashëguar pronë nga familjet e tyre dhe këtyre automatikisht u është dhënë mundësia që të aplikojnë nëpër banka që të marrin kredi dhe të fillojnë bizneset e tyre. Edhe përkundër faktit që disa institucione bankare kanë ofruar disa programe të cilat kanë pasur për qëllim që t’i ndihmojnë gratë që të kyçen në fushën e ndërmarrësisë, kjo ka ndikuar që të rritet edhe pjesëmarrja apo numri i bizneseve të grave në Kosovë, mirëpo ne ende kemi përqindjen më të vogël në rajon të ndërmarrjeve të regjistruara në pronësi të grave.

Sa i përket tregut të punës sipas një hulumtimi ka dalë që vetëm 20 për qind të grave janë në tregun e punës, do të thotë ne kemi një popullsi që gjysma e grave që është gjysma e popullsisë rreth 80 për qind të tyre janë jo aktive në tregun e punës. Një prej problemeve kryesore ka qenë që gratë duhet të kujdesen për fëmijët, për pleqtë dhe këto janë dy prej gjërave të cilat i privojnë gratë që të kyçen në tregun e punës. Dhe për këtë tek Ligji i Punës, kapitulli i lehonisë, i cili obligon bizneset që gjashtë muaj të financojnë gratë punëtore të tyre gjatë kohës së lehonisë, kjo e ka zvogëluar dukshëm punësimin e grave në sektorin privat.

EO: A po bëhet dicka në këtë drejtim si nga ana e institucioneve po ashtu edhe nga ana e asociacioneve që të hiqen këto barriera?

Kastrati: Është punuar mjaft rreth ngritjes së vetëdijesimit të grave që duhet të kërkojnë trashëgimi nga familjet e tyre, duke qenë se kjo i mundëson grave një pavarësi financiare dhe është e drejtë e tyre elementare dhe është e siguruar me ligj. Mirëpo, meqenëse traditat dhe mitet tona i privojnë gratë që të trashëgojnë pronë, kjo automatikisht e pamundëson kyçjen e tyre në ndërmarrësi. Sipas një analize të Forumit Ndërkombëtar të Gruas, i cili është mbajtur këtë muaj në Stamboll doli se diku 60 për qind e grave që ishin pjesëmarrëse në atë forum financat e tyre i kishin marrë nga familjet e tyre, domethënë burimi i të ardhurave për hapjen e biznesit vjen kryesisht nga familja. Po ashtu, edhe bizneset aktuale të cilat janë në Kosovë, e kanë marrë burimin kryesorë kryesisht nga familja, pra ato gra që kanë mundur të gëzojnë të ardhura nga familja ato kanë mundur të hapin biznes.

Aktualisht ne jemi duke punuar në ndryshimin e Ligjit të Punës, gjegjësisht kapitullit të lehonisë, dëshirojmë që bizneset të jenë më pak të ngarkuara me këtë obligim siç është tani gjashtë muaj të kenë më pak obligim ligjor që t’i përkrahin lehonat në mënyrë që të zbutet kjo papunësi dhe t’ju lehtësojmë bizneseve që të punësojnë gra të reja.

EO: E keni përmendur edhe Forumin e mbajtur në Stamboll, a ishin pjesmarrëse edhe gratë ndërmarrëse të Kosovës aty?

Kastrati: Aty kanë qenë shtatëmbëdhjetë kompani gra ndërmarrëse të fushës së tekstilit, shërbimeve dhe të hotelerisë kryesisht.

EO: A po arrijnë gratë ndërmarrëse të Kosovës që të krijojnë kontakte apo ndonjë kontratë të përbashkët me biznese të huaja

Kastrati: Pikërisht ky ka qenë edhe qëllimi që të rritet rrjetëzimi, aty kanë qenë rreth 50 vende me diku 400 pjesëmarrëse. Ideja ka qenë që t’i bëjmë bashkë blerëset dhe shitëset në një vend, njëkohësisht është hapur edhe portali “She Trades”, i cili është i hapur nga “International Trade Center”, dhe kjo u mundëson rritjen e fizibilitetit të ndërmarrjeve të grave, domethënë gratë mund të regjistrohen në këtë portal dhe në të kanë mundësi që të shohin të gjitha gratë ndërmarrëse në sferën globale, ku aty mund të gjesh si blerësen po ashtu edhe shitësen. Ky event, i cili u mbajt në Stamboll ka rezultuar mjaft i suksesshëm për arsye se gratë tona arritën të rrjetezohen me shumë biznese të tjera, po ashtu edhe të marrin materiale direkt nga dora e parë e prodhuesit, e cila ndikon edhe në koston e prodhimit edhe në koston e shitjes, kjo u mundëson pastaj edhe mundësi më të mira që të shesin produktet edhe jashtë Kosovës.

Intervistoi: Albulena Avdiu

Të ngjashme