Pjesëmarrja e grave në vendimmarrje rrit zhvillimin ekonomik

Prishtinë | 08 Mar 2017 | 16:13 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nëse pjesëmarrja e grave në vendimmarrje do të arrihej njëjtë me atë të burrave, atëherë zhvillimi ekonomik i Kosovës do të ishte shumë më i madh. Kështu u tha gjatë ceremonisë së lansimit të projektit “Eliminimi barrierave për mundësi të barabarta të Kosovo United States Alumni (KUSA).

Aty u theksua se për kundër progresit që është arritur në sferën e fuqizimit të gruas, ende gratë në Kosovë janë në pozitë të disfavorshme, raporton Ekonomia Online.

Shkëndije Himaj, zyrtare e lartë në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), tha se projekti eliminimi i barrierave do të ofrojë trajnim të barabartë për të gjitha gratë pjesëmarrëse që vijnë nga fusha të ndryshme profesionale.

Ajo theksoi se modulet e trajnimit janë të bazuara në korniza të programit certifikues.

“Programi do të ketë dy faza: Në fazën e parë do të trajtohen çështjet për qeverisjen korporatave dhe vendimmarrje, menaxhim të burimeve njerëzore, kornizë ligjore dhe rëndësi e zbatueshmërisë të kornizës ligjore, auditim, kontrolle të brendshme, marketing, etj”.

“Faza e dytë e programit certifikues do të avancohet me tema ende më të rëndësishme që janë: planifikim strategjik, menaxhim financiar, përcaktim i politikave zhvillimore etj”, ka shpjeguar Himaj.

“Ky projekt do ofroj trajnim profesional për të gjitha gratë, eksperte ligjore përveç tjerash do të sjellin edhe përvoja personale. KUSA do të ofrojë mundësi që në institucione të ketë një qasje të barabartë”, tha ajo

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, deklaroi se barazia gjinore është synim për një të ardhme më të mirë dhe me prosperitet për të gjithë shoqërinë.

“Gratë e Kosovës kanë ndryshuar historinë, thyerja e barrierave te gratë është komplekse në të gjithë botën, por te ne është edhe më e vështirë. Ne kemi nevojë për të trajtuar këtë çështje në përshpejtim të vëmendjes të gjithë qytetarëve tanë. Në shoqërinë tonë ekziston një perceptim se gratë në shoqërinë tonë nuk përfshihen në vendimmarrje për shkak të mungesës së shkathtësive”, tha ajo.

“Pa hezitim dua të them se ne nuk bëjmë aq sa duhet, gratë dhe vajzat nuk kanë një trajtim të drejt në shoqërinë tonë. Mund të them me bindje të plotë se po gratë janë të barabarta në shoqërinë tonë vetëm atëherë kur ligjet që Kosova ka  të jetësohen në praktikë. Mohimi i të drejtës së grave nuk është çështje private, ne si shoqëri kemi bërë shumë për avancimin e grave, por kjo mbetet ende një sfidë. Kjo do mundësojë mbylljen e hendekut të diversitetit që po dominon në shoqërinë tonë“, tha Jahjaga.

Drejtoresha e Odës Ekonomike të Grave të Kosovës, Lendita Kastrati, tha se edhe përkundër progresit që është arritur në sferën e fuqizimit të gruas ende gratë në Kosovë janë në pozitë të disfavorshme.

“Pjesëmarrja e grave në borde të institucioneve, por edhe në vendimmarrje është e vogël edhe në shumë vende të botës. Konsideroj që Kosova duhet të marr masa afirmative edhe pse e kemi ligjin që kuoton pjesëmarrjen e grave, kjo asnjëherë nuk është realizuar në praktikë, konsideroj që Kosova ka mjaft gra të arsimuara që do të mund ta kishin marr këtë rol. Diversiteti gjinor ka treguar që gjithmonë rezulton me sukses. Raporti i Bankës Botërore flet që Kosova e ka pjesëmarrjen më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në pronësi të grave, ndërsa sa i përket pozitave top menaxheriale Kosova e ka prapë vendin më të ulët prej 9 për qind”, theksoi ajo.

Arjeta Spahiu, përfaqësuese nga Oda Ekonomike Amerikane tha se shoqëria duhet që të nxisë gratë që të aspirojnë vendet më sendor.

“Ekzistojnë dy dallime: i kemi bordet e asociacioneve si dhe bordet e bizneseve, ose korporatave derisa në bordet e institucioneve ato janë pa pagesë, ndoshta nuk  është ndonjë shtytje e madhe që gratë të duan të kontribuojnë për shkak të obligimeve që kanë, por në korporata dhe biznese atyre nuk ju intereson gjinia dhe ne duhet të fokusohemi te ngritja e edukimit”, ka thënë Spahiu.

Të ngjashme