Hetuesit federalë amerikanë kanë arritur në vendin ku të shtunën u rrëzua një aeroplan i vogël në Dakotën Jugore. Në këtë aksidenti vdiqën nëntë anëtarë të një familjeje të njohur të fushës së biznesit.
Anëtarët e katër gjeneratave të ndryshme të familjes ishin duke u kthyer në shtëpi në Idaho pasi kishin shkuar për të marrë pjesë në sezonin vjetor të gjahut të fazanëve.
Aeroplani i tyre u rrëzua disa minuta pasi ishte ngritur në ajër, të shtunën rreth orës 12 e 30 minuta sipas kohës lokale. Fluturimi ishte nisur në kohën kur në këtë rajon po mbretëronte mot i lig me stuhi dimri dhe kur autoritetet e kishin ngritur alarmin paralajmërues për rrezikun e stuhisë.
Zyrtarët amerikanë konfirmuan se tre anëtarë të tjerë të kësaj familjeje kanë mbijetuar në aksidentin e tmerrshëm.
Hetuesit ende nuk e kanë zbuluar shkaktarin e aksidentit, por një zëdhënës tha se moti i lig mund të jetë një arsye e mundshme e fatkeqësisë, shkruan “BBC”.