Në Komunën e Hanit të Elezit vetëm këtë muaj janë regjistruar katër raste të ngordhjes së lopëve nga sëmundja Gungore e Lëkurës. Këtë e ka bërë të ditur Hajredin Gashi nga Drejtoria Komunale e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në raportin e fundjavës.
Të gjitha rastet e ngordhjes janë trajtuar sipas standardeve të Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit dhe janë të përcjella me procesverbal të veçantë nga Inspektorati i Veterinës.
Drejtori Gashi tha se në përgjigjeje të informatave mbi sëmundjen Gungore të Lëkurës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës për komunën e Hanit të Elezit ka ndarë 1000 copë vaksina për zonat kadastrale Dimcë, Seçishtë, Krivenik dhe Gorancë, fshatra këto në brezin kufitarë me Republikën e Maqedonisë.
Ndërsa Sadat Bajrami veterinar lokal i autorizuar për shpërndarjen e vaksinave tha se të gjitha vaksinat janë shpërndarë, mirëpo numri i gjedheve është shumë më i madh dhe se ka shumë kërkesa për vaksina plotësuese, duke apeluar që sigurimi i vaksinave të behët nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës sa më parë që të jetë e mundur.
Ai tha se fatkeqësisht numri i gjedheve me indikacione të sëmundjes Gungore të Lëkurës është i madh dhe të cilat janë duke u trajtuar.
Drejtori Gashi dhe veterinari Bajrami apeluan te bujqit që të informojnë për rastet e dyshimta, ndalimi i përkohshëm i lëvizjes dhe shitjes së kafshëve si dhe të izolohen kafshët me simptome të sëmundjes Gungore të Lëkurës.