Katër muaj burg me kusht ndaj të akuzuarit se fotografoi votën në zgjedhjet e 6 tetorit

Prishtinë | 10 Mar 2020 | 10:59 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Gjakovë, të martën, e ka shpallur fajtor të akuzuarin për cenim të fshehtësisë së votimit, Xhemajl Kadiri.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Gëzim Pozhegu, i akuzuari Kadiri është dënuar me katër muaj burgim me kusht, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dënimi me burgim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej një viti.

Gjykatësi Pozhegu tha se arsyetimin e këtij aktgjykimi palët do ta marrin në formë të shkruar.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 29 tetor 2019, Xhemajl Kadiri po ngarkohet me veprën penale “cenim i fshehtësisë së votimit” nga neni 215 paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 6 tetor 2019, rreth orës 10:00 në Rahovec, pikërisht në vendvotimin 1602A/03D të vendosur në shkollën e mesme “Xhelal Hajda”, në mënyrë të kundërligjshme e cenon fshehtësinë e votimit në zgjedhjet nacionale të vitit 2019 për deputetë në Parlamentin e Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se në ditën kritike pasi ka plotësuar fletëvotimin me telefonin e tij e ka fotografuar, dhe pasi është njoftuar nga ana e komisionerit zgjedhor të vendvotimit se fotografimi i fletëvotimit është i ndaluar, i pandehuri përgjigjet “se kjo është e drejtë e imja”, për rastin më pas është njoftuar policia dhe i njëjti është arrestuar. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme