Katër të dyshuarve lidhur me tenderin milionësh në MPB iu zëvendësohet masa e paraburgimit me arrest shtëpiak

Prishtinë | 20 Tet 2023 | 08:15 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka zëvendësuar masën e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej dy muajsh të dyshuarve Adem Sopa, Bardhyl Behluli, Naim Selmani dhe Gëzim Hoti, të cilët dyshohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “Marrje e dhënie ryshfeti”.

Lajmi është bërë i ditur për “Betimi për Drejtësi” nga zëdhënësja Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me masën e sigurisë. Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurve A.S, B.B, N.S dhe G.H iu është ndërprerë dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej 2 (dy)muaj”, konfirmoi Gashi.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë me 4 korrik 2023, kishte parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Adem Sopës, Bardhyl Behlulit, Naim Selmanit dhe Gëzim Hotit nën dyshimin për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti dhe dhënje ryshfeti.

Të njëjtën, Themelorja e kishte aprovuar, duke ua caktuar nga 30 ditë paraburgim katër të dyshuarve të lartcekur. E njëjta masë të dyshuarve më 2 gusht 2023, iu vazhdua edhe për dy muaj.

Në kërkesën e Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhej se të arrestuarit Adem Sopa dhe Bardhyl Behluli dyshohen për kryerjen e veprave “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë” dhe “Marrje ryshfeti, ndërkaq, Naim Selmani dhe Gëzim Hoti për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.

Gjithnjë sipas kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit e përpiluar nga prokurori Zejnulla Gashi thuhet se i dyshuari Adem Sopa në cilësi të zyrtarit të prokurimit në Ministrin e Punëve të Brendshme (MPB) ka keqpërdorur informata për ndërtimin e objektit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK).

Sipas kësaj kërkese, thuhet se i dyshuari Adem Sopa ka ndihmuar të dyshuarin tjetër Naim Selmani për ta bërë plotësimin e dokumentacioneve dhe aplikimin për ndërtimin e AKK-së, duke i përshtatur specifikat për të cilat operatorët tjerë ekonomikë nuk kishin dijeni.

Tutje, thuhet se pasi që janë përshtatur specifikat për kompaninë “Arbëri” me pronar të dyshuarin tjetër Naim Selmani, e njëjta edhe fiton tenderin në vlerën prej 2 milionë e 193 mijë e 504 euro e 85 centë dhe krejt kjo pasi Adem Sopa ka raport shoqëror me pronarin Naim Selmani, ku ky raport dëshmohet me fotot dhe raportet e policisë.

Për të pandehurin e dytë Bardhyl Behluli, në kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit thuhet se, në cilësinë e menaxherit të kontratës për ndërtimin e objektit të AKK-së ka pranuar shumën prej 2 mijë eurosh nga i dyshuari tjetër Gëzim Hoti.

Këto 2 mijë euro, sipas kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit thuhet se i dyshuari Gëzim Hoti i ka marrë nga i dyshuari Naim Selmani për t’ia dërguar pikërisht të dyshuarit Bardhyl Behlulit.

Gjithashtu për të dyshuarin Bardhyl Behluli, del se më 12 janar 2023, ka udhëtuar për pushime në qytetin e Stambollit së bashku me të dyshuarin Gëzim Hoti, Admir Selmanin dhe Refik Bajramin dhe që shpenzimet del se janë paguar nga i pandehuri Naim Selmani. I gjithë ky favor sipas Prokurorisë dyshohet se i është bërë të dyshuarit Bardhyl Behlulit që t’ia mundësojë pronarit të kompanisë “Arbëri” Selmani të bëjë ndryshime në kundërshtim me masën e projektit konkretisht të pjesë së izolimeve.

Për të pandehurin Naim Selmai, në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit thuhet se në cilësi të pronarit të kompanisë “Arbëri” përmes të dyshuarit tjetër Gëzim Hoti ka dërguar shumën prej 2 mijë eurosh menaxherit të kontratës të dyshuarit tjetër Bardhyl Behluli.

Tutje, i dyshuari Naim Smajli thuhet se vazhdimisht prej muajit dhjetor të 2022-ës e deri në janar të vitit 2023 ka kontaktuar me firma të ndryshme të ndërtimit dhe pompa të derivateve, duke u dakorduar me të njëjtat kompani për lëshim të faturave fiktive.

Kurse, për të dyshuarin Gëzim Hoti në kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit thuhet se në cilësinë e punonjësit në kompaninë “Arbëri” ka pranuar t’i marrë të hollat nga Naim Selmani dhe t’ia dërgojë të dyshuarit tjetër Brdhyl Behlulit.

Tutje, për të dyshuarin Gëzim Hoti thuhet se vazhdimisht nga muaji dhjetor 2022 e deri në janar 2023, sikurse i dyshuari tjetër Selmani ka kontaktuar me firma të ndryshme të ndërtimit dhe pompa të derivateve për lëshimin e faturave fiktive.

Andaj, mbi këto baza prokurori përpilues i kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit Zejnulla Gashi ka propozuar që t’iu caktohet katër të dyshuarve paraburgimit prej një muaj, që të mund të zhvillohet një proces i rregullt dhe pa pengesa.

Të ngjashme