Afër katër vite pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Planifikim Hapësinor, autoritetet qendrore dhe ato lokale të planifikimit ende nuk kanë arritur që të përmbyllin në tërësi procesin e hartimit të të gjitha dokumenteve të planifikimit hapësinor.
Harta Zonale e Kosovës si dhe Hartat Zonale të Komunave akoma nuk janë hartuar, duke mbajtur pezull kësisoj edhe hartimin e mëtutjeshëm të Planeve Rregulluese të Hollësishme në nivel lokal.
“MMPH përkatësisht IPH përmes një shkrese zyrtare kanë konfirmuar për EC-in se ende nuk e kanë hartuar Hartën Zonale të Kosovës. Sipas tyre arsyet për këtë janë të ndryshme, por më kryesorja është se Ministria përkatësisht sektori i planifikimit hapësinor përfshirë edhe nivelin lokal janë në fazën e ndërrimeve sistemore, ndërkohë që pohohet se ende nuk janë nxjerrë të gjitha udhëzimet administrative, që ndikojnë në procesin e hartimit të këtyre dokumenteve”, ka njoftuar EC Ma Ndryshe.
Sipas kësaj OJQ-je, në shkresë thuhet se procesi i hartimit të HZK-së ka filluar dhe se në adresë të Kryeministrit është dërguar për aprovim propozim-vendimi për fillimin formal të hartimit të këtij dokumenti, derisa shtohet se në ndërkohë është duke përfunduar puna përgatitore, sipas të cilës do të dihet në detaje plani i punës dhe fazat nëpër të cilat do të kalojë procesi i hartimit të HZK-së.
“Sipas shkresës tashmë ka përfunduar nxjerrja e një numri të madh të indikatorëve për planifikim hapësinor, të cilët do të shërbejnë si bazë për të filluar procesin e hartimit të hartave zonale në të dy nivelet e planifikimit. Ndërkaq Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Prizrenit përmes një përgjigjeje zyrtare ka theksuar se duke vepruar në përputhje me dispozitat e Ligjit për Planifikim Hapësinor ka ndërprerë paraqitjen në Kuvendin e Komunës të propozimeve të Planeve Rregulluese të Hollësishme, për shkak se së pari duhet të hartohet Harta Zonale e Komunës”.
Duke i marrë parasysh këto fakte, EC konsideron se katër vite pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Planifikim Hapësinor ende nuk është përmbushur qëllimi i tij, që është “sigurimi i zhvillimit të qëndrueshëm dhe të baraspeshuar të planifikimit hapësinor për tërë territorin e Kosovës si vlerë e përgjithshme kombëtare, përmes qeverisjes së mirë, shfrytëzimit të përshtatshëm të tokës, mbrojtjes së mjedisit dhe trashëgimisë kulturore dhe natyrore”.
Për këtë arsye EC i bën thirrje autoriteteve e veçmas MMPH-së dhe IPH-së që ta dinamizojnë procesin e hartimit të të gjitha dokumenteve të planifikimit hapësinor, përkatësisht të Hartave Zonale, ashtu që të zhbllokohet edhe procesi i hartimit të Planeve Rregulluese të Hollësishme në nivel lokal dhe kështu të hapet rruga që zbatimi i LHP-së të përmbush qëllimin e vet përkatësisht “të sigurojë qeverisje të qëndrueshme, shfrytëzim efikas të fondeve publike, parakushte për zhvillim social dhe ekonomik të baraspeshuar, rregullim të qëndrueshëm të hapësirës, duke siguruar trajtim të barabartë, lëvizje të lirë dhe qasje adekuate në shërbimet publike për qytetarët”.
Projekti “Transparenca e Planifikimit Hapësinor në Prizren” synon hapjen e dokumenteve të planifikimit hapësinor në komunën e Prizrenit, për të përmbushur obligimet e Kartës për Hapjen e të Dhënave, dhe rritur nivelin e llogaridhënies publike në këtë sektor. Hapja e të dhënave dhe dokumenteve të planifikimit hapësinor do të krijojë mundësi më të mëdha për mbikëqyrjen e punës së autoriteteve publike në raport me urbanizmin, lejet e ndërtimit, planifikimin zhvillimor dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore.