Katrahurë nga ndotja, Prishtina është veshur me maska goje

Prishtinë | 29 Jan 2018 | 09:04 | Nga

Të jetuarit shëndetshëm është primar për secilin person. Gjithçka nis nga gjërat elementare, uji dhe ajri. E pasi që ajri është njëra nga gjërat e para për jetë të shëndetshme, një gjë të tillë nuk po e gëzojnë qytetarët e Prishtinës
Nga e premtja, qytetarët e Prishtinës po vazhdojnë të jetojnë me ajër të ndotur që rrezikon shëndetin e tyre. Të dielën rreth orës 18:00 Qendra për matjen e cilësisë së ajrit, e vendosur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, ka regjistruar vlerën e ndotjes në 317 e që konsiderohet rrezik për shëndetin. Ndërsa dy netët e kaluara kryeqyteti shënoi rekorde në ndotjen e ajrit, derisa qytetarëve iu rekomandua mbyllja në shtëpi.

Derisa liderët përkatës nuk po ndërmarrin diçka konkrete lidhur me këtë çështje, qytetarët kanë paralajmëruar protestë për ditën e mërkurë. Ata po kërkojnë që cilësia e ajrit të vihet prioritet nga ana e Qeverisë.

Niveli i ndotjes së ajrit është rritur bashkë me shqetësimet për shëndetin, javëve të fundit në Prishtinë. Rreth kësaj çështjeje në kryeqytet do të organizohet një protestë në shenjë indinjate ndaj institucioneve vendore për neglizhimin e situatës. Protesta do të organizohet më 31 janar (e mërkurë), ora 12:00 – Para Teatrit Kombëtar në Prishtinë.

Protesta do të mbahet gjatë ditës së mërkurën në Prishtinë. Thirrja për protestë është duke u bërë në rrjetin social në Facebook.

“Pra, është koha e qytetarit dhe një proteste për të gjetur zgjidhje rreth kësaj problematike të rrezikshme. Ne, qytetarët e Prishtinës, kërkojmë që kjo çështje të merret seriozisht nga Qeveria dhe Pushteti Lokal. Koha po kalon dhe ne nuk po shohim asnjë plan më konkret e të detajuar për ta zgjedhë problemin e ndotjes. Secili jemi viktimë, dhe askush nuk pret një mrekulli me shkop magjik për problemin”, thuhet në përshkrimin rreth protestës.

Mirëpo, edhe pse është paralajmëruar protesta, në një postim në Fb kryetari i Prishtinës nuk ka lënë asnjë gurë pa lëvizur që ta heqë përgjegjësinë e tij nga cilësia katastrofale e ajrit në Prishtinë. Ai është treguar qesharak në postim, derisa Prishtina është fundosur në një ndotje historike.

Ai ka thënë se po bisedon me Qeverinë dhe institucionet tjera për zvogëlimin e ndotjes. Madje, ka theksuar se po bëhen plane për zvogëlimin e ndotjes nga veturat dhe termocentralet.

Shefi i Prishtinës ka gjetur edhe fajtorin pse po dalin të dhëna kaq të këqija për ajrin në Kryeqytet. Ka thënë se matësit e Ambasadës Amerikane ndodhen në pjesën më të ndotur të Prishtinës prandaj po dalin të dhëna të tilla.

Ahmeti ka shkuar edhe më tutje duke thënë se ndotja e ajrit është edhe për shkak se situata e tillë po mbretëron në Maqedoni e Bullgari.

“Komuna do të vazhdojë të marrë masa afatshkurta dhe afatmesme në përputhje me vlerësimet dhe analizat e të gjitha institucioneve përgjegjëse në Republikën e Kosovës. Javën tjetër mund të priten reduktime në trafik për shkak të gjendjes momentale. Kjo gjendje është e rëndë edhe për shkak të kushteve atmosferike që janë paralajmëruar për Kosovë, Maqedoni e Bullgari”, ka shkruar Ahmeti, në Fb.

Veç kryetarit të Prishtinës, ka reaguar edhe Ministrja e Ambientit, Albena Reshitaj, duke thënë se edhe ajo është e shqetësuar me këtë gjendje, por s’ka dhënë asnjë zgjidhje të shpejtë se si të ndalet ndotja e kryeqytetit. Reshitaj ka renditur disa veprime efekti i të cilave ende është i pavërejtshëm.

“Prandaj të nderuar qytetarë, ju ekspert e kritikë të situatës, mirëpres angazhimin tuaj në reduktimin e ndotjes së ajrit, duke reduktuar përdorimin e veturave, përdorimin e thëngjillit për ngrohje, si dhe duke dhënë kontributin tuaj konkret për reduktimin e ndotjes së ajrit”, ka shkruar Reshitaj, e cila ndodhet në vizitë në Estoni.

Ajo ka shkruar se për këtë problem ka folur edhe me Shpend Ahmetin dhe janë pajtuar të ndalin përdorimin e veturave në disa lagje të Prishtinës si dhe të bëjnë falas transportin publik. Por, as ky hap ende s’është bërë.

Mirëpo, këto deklarime nuk janë duke ndikuar në zvogëlimin e ndotjes së ajrit. Për këtë gjendje, asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sokol Havolli, thotë se do të fillojë të kërkojë nënshkrime nga të gjithë anëtarët e Kuvendit Komunal të Prishtinës për seancë të jashtëzakonshme në lidhje me ndotjen e ajrit në Prishtinë.

Sipas tij, ka shumë diskutime rreth kësaj çështjeje, por se askush nuk po ndërmerr masa të menjëhershme për ta përmirësuar nivelin e ndotjes së ajrit.

Ai shtoi se listën me disa hapa preliminarë për adresim emergjent ai do ta paraqesë në seancë.

Gjithashtu, edhe Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës thotë se ka pranuar me shqetësim të madh njoftimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës për parametrat tejet të lartë të ndotjes së ajrit në Prishtinë dhe rrethinën e saj, bazuar në matjet ditore të cilësisë së ajrit që i realizon ambasada e SHBA-së në Kosovë.

LDK-ja shton se “si Grup Parlamentar i LDK-së shprehim indinjatën dhe reagojmë ashpër që edhe pas këtyre raporteve alarmante që rrezikojnë shëndetin e popullatës ku janë të koncentruar rreth 40% e popullatës së Kosovës në kryeqytetin e Kosovës dhe rrethinën e tij, qe dy ditë nga këto alarme serioze nga institucione kredibile vendore dhe ndërkombëtare, nuk kemi as më të voglin reagim nga institucionet e shtetit të Kosovës, as nga qeveria, ministria përkatëse por edhe nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës si institucion kompetent për matjen dhe monitorimin e parametrave të cilësisë së ajrit në vendin tonë”.

Më tutje në komunikatë thuhet se në detyrat dhe përgjegjësitë e Drejtorisë për Vlerësimin e Gjendjes së Mjedisit pranë Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës thuhet qartë se njëra ndër shtyllat kryesore të AKMM është Drejtoria e Monitorimit, Vlerësimit dhe Raportimit Mjedisor. Kjo Drejtori do të përcaktoj orientimet dhe kriteret kryesore mbi monitorimin bazuar mbi standardet dhe indikatorët mjedisor Evropian dhe Kombëtar, do të përcjell dhe do të marr informacione nga të gjithë dëmtuesit potencial në Kosovë, si nga energjetika, nga industritë, transportet, agrikultura, pylltaria etj,. Në mënyrë profesionale, dhe të bazuar në të dhëna të verifikuara do të sjell informacione edhe mbi gjendjen dhe kualitetin e ajrit, ujit, dheut, mbi gjendjen e natyrës dhe biodiversitetit, mbi relacionet e mjedisit dhe shëndetit, mbeturinat; e informacione të tjera relevante. Por për fatin e keq të qytetarëve të kryeqytetit dhe rrethinës kjo drejtori dhe kjo agjenci si institucione kompetente dhe përgjegjëse sipas ligjeve në fuqi nuk e panë të rrugës ta thonë as një fjalë, këshillë apo sugjerim për qytetarët që po përballen me ajrin më të ndotur në planet. Që papërgjegjësia të kalojë në injorancë një këshilltar i kabinetit të Ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor publikisht ju sugjeron qytetarëve të kryeqytetit dhe rrethinës që të qëndrojnë brenda! Është edhe një nga dëshmitë e radhës që kjo qeveri dhe kjo logjikë qeverisëse ka degraduar dhe ka humbur çdo kriter moral, politik dhe profesional.

LDK-ja thotë se do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore që të ndikojë në sajimin e kësaj gjendje alarmante të ajrit.

Për t’i dalë në ndihmë vendit për këtë gjendje të ajrit, të gatshëm janë BE-ja.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, tha se kanë bërë presion të vazhdueshëm tek institucionet lidhur me fenomenin e ndotjes së ambientit.

“Unë vetëm shpresoj se do të ketë përkushtim të madh nga Qeveria, por shikoni ne kemi shumë prioritete, të cilat janë të shpërndara në shumë sektorë, pra mendoj që Qeveria duhet të ketë një qasje shumë serioze në të gjitha çështjet në interes të popullit të Kosovës. Pra, ky ka qenë gjithmonë mesazhi im për shembull, për ndotjen e ajrit, kualiteti i ajrit, adresimi i ujit dhe bërllokut”, tha Apostolova për ‘Jeta në Kosovë’.

Ajo, po ashtu, ka ofruar ndihmën e BE-së me projekte që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit.

“Ne jemi gati të asistojmë me çfarëdo ndihme që mund të ofrojmë, por ashtu si mund ta imagjinoni ne nuk mund të zëvendësojmë përpjekjet tona me ato të komunave apo qeverisë. Por, unë mendoj se roli jonë, dhe kjo që do ta them është me rëndësi të madhe, ne jemi duke e ngritur zërin tonë, sepse ndërkombëtarët mblidhen së bashku, formulojnë një peticion, dhe ua bëjnë të qartë personave qeveritarë dhe parlamentit, se ne jemi duke ju monitoruar, dhe ju duhet të mbaheni përgjegjës për shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve të juaj… është diçka shumë e rëndësishme”, tha ajo.

Derisa po pretendohet për një zgjidhje, qytetarët po vazhdojnë të përdorin maska për t’u mbrojtur nga kjo ndotësi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme