Klubi i basketbollit nga Prizreni, Bashkimi është duke e konsideruar punën të kryer titullin e kampionit në IP Superligën e basketbollit të Kosovës, pasi dy ditë para ndeshjes së katërt finale kundër Prishtinës, u ka bërë thirrje tifozëve të përgatiten për festë.
Në ndeshjen e katërt të finales së Play Off-it në basketboll, Bashkimi e pret Prishtinën në palestrën “Sezi Surroi” në Prizren duke filluar në orën 21:00, transmeton Gazeta Express.
“Arpagjikët” udhëheqin 2 me 1 në serinë finale ndërsa për t’u shpallur kampionë të Kosovës u duhet fitorja me patjetër në duelin e sotëm.
Në rast humbjeje, atëherë rezultati do të barazohej në 2-2, cka do të nënkuptonte se do të nevojitej edhe një ndeshje tjetër, kësaj radhe në Prishtinë, për t’u vendosur kush e fiton titullin përfundimisht.
Ndërkohë, me moton “HISTORI” i gjithë qyteti i Prizrenit është mobilizuar për një fitore e cila i bënë “Arpagjikët” fitues për herë të parë në histori.
E në mbështetje të ekipit prizrenas ka dalë edhe kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, duke thënë. “Nesër duhet të jemi të gjithë bashkë dhe t’i mbushim tribunat përplot. Bashkimi ka nevojë më shumë se kurrë për përkrahjen e ‘Arpagjikëve’ për t’u shpallur kampion për herë të parë në histori”.
“Pastaj, #PërBashkimin le të vazhdojë festa edhe në Shadërvan!”, kishte shkruar më tej Haskuka në profilin e tij në Facebook.
Ky është postimi “Arpagjikëve” në Facebook:
“Arpagjikët” nuk ndalen duke bërë thirrje për të ndjekur ndeshjen mes Prishtinës dhe Bashkimit
Bëjmë thirrje te krejt Arpagjik’t, i madh e i vogël ska arsye për mungesë.
e Mërkurë, BASHKIMI – Prishtina fillon në ora 21:00.
Tubimi fillon te betoni ku e ham iftarin krejt bashkë dhe me këmbë të mbarë nisemi drejt tribunës. E obligueshme fanella e zezë.
Për Prizrenin
Për Bashkimi
Shihemi!
Arpagjik’t 2000!