KDI dhe D4D: Emërimi i anëtarëve të KQZ-së të bëhet në bazë të dispozitave ligjore

Prishtinë | 18 Dhj 2018 | 14:37 | Nga Ekonomia Online

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), janë duke përcjellur me vëmendje procesin e emërimit të anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Pas papranueshmërisë së kërkesës së presidentit Thaçi për interpretim të nenit 139, paragrafi 4, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës nga ana e Gjykatës Kushtetuese, Zyra a Presidentit ka filluar dërgimin e kërkesave për nominim të anëtarëve të rinj të KQZ-së nga grupet parlamentare.

Megjithatë, nga informatat e siguruara nga terreni dhe nga mediet, KDI dhe D4D konsideron që Zyra e Presidentit është duke shfaqur tendenca për të vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore për emërimin e anëtarëve të KQZ-së. Çdo përpjekje tjetër për të tejkaluar dispozitat ligjore në fuqi, ndikon negativisht në integritetin e zgjedhjeve dhe ka implikime në të gjitha fazat e procesit zgjedhor.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës përmes nenit 139 paragrafi 4 e rregullon përbërjen e KQZ-së, ku konstaton se gjashtë (6) anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, një (1) anëtar emërohet nga deputetët e Kuvendit të cilët mbajnë vende të garantuara për komunitetin Serb të Kosovës dhe tre (3) anëtarë nga deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vende të garantuara për komunitetet e tjera që nuk janë shumicë në Kosovë. Për më tepër, Gjykata Kushtetuese përmes Aktgjykimit në rastin Nr. KOU9/14 ka bërë interpretimin lidhur me çka konsiderohet grup më i madh parlamentar. Në pikën 116 të Aktgjykimit, Gjykata Kushtetuese konstaton se grupi më i madh parlamentar, sipas nenit 67 (2) të Kushtetutës, konsiderohet partia, koalicioni, iniciativa qytetare dhe kandidatë e pavarur që kanë fituar më shumë mandate në Kuvend bazuar në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, e që kanë garuar si të tilla në zgjedhje.

Rrjedhimisht, duke u bazuar në dispozitat ligjore në fuqi dhe rezultatin nga zgjedhjet parlamentare në vitin 2017, 11 vendet e KQZ-së duhet të shpërndahen si vijon: Koalicionit PAN, Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së u takojnë nga dy anëtarë, grupeve parlamentare që përfaqësojnë komunitetet joshumicë u takojnë katër (4) anëtarë, dhe një(1) vend për kryetaren e KQZ-së. Çdo interpretim tjetër për përbërjen e KQZ-së është në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi.

KDI dhe D4D konsiderojnë që funksionalizimi i KQZ-së duhet të trajtohet me prioritet nga presidenti, në mënyrë që t’i përmbushë obligimet e saj e aq më tepër kur disa nga anëtarët e KQZ-së vazhdojnë të paguhen nga buxheti i shtetit përkundër mosfunksionimit të këtij institucioni.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme