Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka prezantuar platformën interaktive digjitale “KDI Green”, për adresimin e degradimit të mjedisit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Aty u tha se kjo platformë do të shërbejë për qytetarët që t’i raportojnë rastet e degradimit të mjedisit, ndërsa do të jetë në shërbim edhe të institucioneve për të pasur një hartë me probleme mjedisore.
Ardian Muçaj nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha se gjatë vizitave në terren, kanë identifikuar dhjetra zona që ishin subjekt i degradimit të ambientit.
“Me lansimin e platformës KDI gjelbër e cila do të jetë në shërbim të qytetarëve për të shpërfaqur dhe raportuar rastet e degradimit të mjedisit. Me lansimin e kësaj web platforme të gjithë qytetarët e vendit tonë nga sot do të kenë në dispozicion një mjet shtesë për të raportuar rastet në degradimin e mjedisit në lagjen e tyre dhe në hapësira publike ku ata jetojnë. Ndërsa në anën tjetër institucionet do ta kenë një hartë të problemeve mjedisore ku janë të vizuelizuara rastet e ndotjes”, u shpreh Muçaj në konferencën e mbajtur të mërkurën.
“Vlen të theksohet se përgjatë muajve të fundit, KDI në bashkëpunim me 12 organizata lokale përmes vizitave në teren kanë identifikuar dhe dokumentuar me dhjetëra zona të cilat janë subjekt i degradimit natyror si pasojë e deponive ilegale të mbeturinave shpyllëzimit të pakontrolluar derdhjes së ujërave kimikate në liqene dhe në lumenj si dhe betonizimi i hapësirës së gjelbër brenda zonave urbane e të gjitha këto janë të raportuara në kohë reale. Gjatë këtyre vizitave janë grumbulluar fakte që dëshmojnë për një nivel alarmant të ndotjes që u dëgjuan edhe rrëfime të qytetarëve që jetojnë në afërsi mbi efektin që kjo ndotje paraqet mbi veçorinë e tyre. Vizita si kjo për ndotjen që ndodhin gjithandej Kosovës e rrisin nevojën për intervenim urgjent nga institucionet në mënyrë që të evitohet rreziku publik nga këto degradime”, u shpreh ai.
Për më tepër, Kosova në kuadër të Procesit të Berlinit dhe të integrimit në Bashkimin Evropian, përmes nënshkrimit të Deklaratës së Sofies është zotuar për përmbushjen e Agjendës së Gjelbër 2030 e cila kërkon që vendi të përafrojë politikat e saj drejt tranzicionit të gjelbër, politikave të qëndrueshme mjedisore, klimatike e të energjisë në mënyre që të rritet mirëqenia e qytetarëve dhe të mbrohet mjedisi.
Në vazhdim, Valon Raka nga OJQ medisore „Gjethi“ theksoi se “ky projekt po n’a mundëson që t’i qasemi ndotjeve në mënyrë më analitike, t’i dokumentojmë ato dhe t’u japim zë komuniteteve që po preken çdo ditë nga efektet, shpesh edhe “të panjohura” të ndotjeve”.
Ai poashtu përmendi incidencën e statistikat shëndetësore që po shkaktohen nga ndotja e lumit dhe ndotja e ajrit në zonën e Kaçanikut ku ai vepron.
Ndërsa, Gentiana Zeqiri nga OJQ “Iniciativa Qytetare Skenderaj“, duke iu referuar vizitave në terren për të parë degradimet mjedisore të shkaktuara nga faktori njeri dhe fatkeqësitë natyrore, siç ishin vërshimet e janarit të vitit 2023, vendosi theksin në dëmtimin e shtratit të lumit Klina dhe në deponinë e mbetjeve inerte afër fushës ndihmëse KF Drenica. Lidhur me këto probleme, Gentiana tha që kanë filluar të punojnë me zyrtarët komunalë në mënyrë që ato të adresohen.
Në fund, Antoneta Zhjeqi nga “Qendra për Politika dhe Avokim“ u fokusua në problemet mjedisore me të cilat ballafaqohet kryeqyteti, duke vënë theksin në zhvillimin e hovshëm të qytetit dhe në menaxhimin jo të mirë të mbeturinave, apo ngecjeve në planifikimin urban si faktorët kyç që i kontribuojnë ndotjes. Vizitat në terren mundësuan identifikimin e deponive ilegale në Shkabaj dhe në Kodrën e Trimave, të cilat strehojnë mbetje toksike me efekt negativ në shëndetin e banorëve përreth.