Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur sot konferencë për media lidhur me funksionimin e punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast Artan Murati nga KDI ka theksuar se më shumë se një vit nga konstituimi i legjislaturës së gjashtë, Kuvendi nuk ka arritur të funksionoj në mënyrë adekuate dhe vazhdimisht është përballur me kriza të ndryshme, kryesisht të natyrës politike.
“Me fillimin e sesionit vjeshtor të punës së Kuvendit është intensifikuar edhe bllokada e punës në Kuvend, duke paralizuar kështu jetën parlamentare. Nga të gjitha seancat e mbajtura këtë sesion, vetëm një ka arritur të përfundoj në ditën kur ka filluar. Ndonëse shpeshherë mosfunksionimi i punës në Kuvend është duke u atribuuar bojkotit opozitar të punës së Kuvendit, megjithatë faktorët e mosfunksionimit të Kuvendit janë të shumëllojtë”, ka thënë ai.
Mungesat e deputetëve nga shumica parlamentare është një nga problemet kryesore të kësaj legjislature, trend ky i cili është duke vazhduar edhe në sesionin vjeshtor.
KDI konsideron që Grupet Parlamentare në mazhorancë duhet të jenë mirë të koordinuara për të mundësuar zhvillimin e seancave plenare. “Nëse subjektet opozitare janë duke ushtruar të drejtën e tyre për bojkoti të Kuvendit, koalicioni qeverisës duhet të mobilizohet për të siguruar numrat e mjaftueshëm mbarëvajtjen e seancave plenare dhe komisioneve parlamentare”, ka shtuar ai.
Murati ka potencuar se KDI fton Kryesinë e Kuvendit të mbajë takime të rregullta dhe të thërras seanca në intervale më të shpeshta kohore, duke mos lejuar grumbullimin e shumë pikave të rendit të ditës pasi që kjo është duke ndikuar direkt në mos-përmbushjen e agjendës legjislative.
Sa i përket rolit të opozitës, ai ka nënvizuar se deri më tani, grupet parlamentare opozitare nuk kanë pasur një strategji të përbashkët, qoftë për bojkotim të punës së Kuvendit apo për zgjedhje të reja. “Kjo qasje e pa-koordinuar ka qenë jo-produktive dhe nuk ka arritur të sjellë rezultatet e pritshme për opozitën. Ndonëse subjektet opozitare nuk e kanë obligim t’ua bëjnë numrat subjekteve në pushtet, megjithatë konstruktiviteti për të mirën e përgjithshme është mase i nevojshëm”, shtoi Murati.
Ai ndër të tjera ka thënë se konsensusi mes subjekteve politike është vendimtar në këtë periudhë, dhe se debati assesi nuk duhet të zhvendoset në forume tjera jashtë Kuvendit të Kosovës.
Ndërsa Jeta Krasniqi nga KDI ka folur lidhur me dialogun Kosovë-Serbi si një ndër çështjet që po ndikon në bllokimin e punës së Kuvendit dhe bojkotimin e punimeve të seancave plenare nga ana e opozitës.
Ajo ka vlerësuar se fillimi i fazës së re të dialogut Kosovë – Serbi ka shkaktuar polarizim mes partive politike në Kosovë rreth pritshmërive nga ky proces, temave që duhet të diskutohet dhe kush duhet të udhëheq me procesin e dialogut.
“Mungesa e konsensusit për këtë çështje ka ndikuar dhe në mbarëvajtjen e punës së Kuvendit. Shumica parlamentare nuk ka arritur të siguroj numrin e deputetëve për të shtyrë përpara iniciativat e saj, ndërsa ka bojkotuar seancën e thirrur nga opozita. Bojkoti i dyanshëm i seancave rezultoi që asnjëra nga iniciativat të mos votohen. Seanca e thirrur nga opozita ka mbetur ende e patrajtuar, për të cilën opozita kishte deklaruar se nuk do të marrin pjesë në seanca të rregullta pa u kryer seanca e thirrur nga opozita”, ka thënë ajo.
Duke konsideruar rëndësinë e kësaj teme shtetëore, Krasniqi ka potencuar se KDI vlerëson se debati rreth dialogut Kosovë-Serbi duhet të zhvillohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës ku duhet të përpilohet platforma shtetërore rreth këtij procesi. Kuvendi duhet të jetë pro aktiv në këtë proces duhet të përcaktoj edhe vijat e kuqe të dialogut si institucioni më i lartë vendimmarrës, ky institucion nuk duhet të anashkalohet.
Partitë politike duhet të arrijnë konsensus politik mbi procesin e dialogut para arritjes së një marrëveshjeje eventuale me Serbinë për të evituar skenarët e së kaluarës si atë të marrëveshjes me Malin e Zi e cila në mungesë të një konsensusi politik dëmtoi shtetin e Kosovës si në sferën e brendshme ashtu edhe të jashtme.
Në të njëjtën kohë ka thënë se Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të kërkoj sqarim nga Qeveria e Kosovës se çfarë është duke ndodhur me procesin e dialogut teknik, kush e udhëheq këtë proces duke konsideruar që shefi i negociatave i emëruar nga Kryeministri është duke pritur emërimin për ambasador në Emirate të Bashkuara Arabe (EBA).
Krasniqi nënvizoi se Kuvendi duhet të kërkoj që Qeveria e Kosovës të dorëzoj të gjitha dokumentet lidhur me marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut përgjatë 7 viteve si dhe të kërkoj në mënyrë urgjente raportim nga ana e Kryeministrit të Kosovës rreth marrëveshjeve të arritura deri më tani, cilat janë marrëveshjet, sa janë zbatuar këto marrëveshje, çfarë efekte kanë sjellur, ku janë ngecjet e procesit dhe cilat janë propozimet e Qeverisë lidhur me statusin e këtyre marrëveshjeve.