Kuvendi i Kosovës për gjashtë muaj ka miratuar 9 Ligje, thuhet në raportin e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) të cilin e prezantoi Artan Murati.
Sipas Muratit edhe ato ligje të miratuara kanë qenë të natyrës financiare pra jo drejtpërdrejtë të lidhura me mirëqenien e qytetarëve, raporton Ekonomia Online.
“Në këta gjashtë muaj të punës së vet nuk është treguar efikase. Është karakterizuar me shumë pak ligje të miratuar në seanca plenare. Janë miratuar vetëm 9 ligje 5 në vitin 2017 ndërsa në vitin 2018 4 ligje. Edhe këto ligje nuk kanë pas të bëjnë me rregullimin e mirëqenies së qytetarëve. Më shumë ka seanca të vazhduara sesa seanca plenare”.
“Kuvendi nuk është duke pasur efikasitet të lartë dhe në masë të madhe nuk ka arritur që të kryej as rolin e vet legjislativ as mbikëqyrës. Edhe monitorimi i zbatimit të ligjet është i dobët. Deri më tani nuk ka ndonjë raport për zbatimin e ligjeve që komisioni ka marrë përgjegjësi për ti monitoruar”.
Ai shtoi se KDI bënë thirrje që deputetët dhe grupet parlamentare të parashohin sanksione për deputetët të cilët e sabotojnë Kuvendit.
“Problemet më të mëdha është edhe mungesa e kuorumit ose mos pjesëmarrja e votim. Kjo çështje duhet të marr një përgjigjeje institucionale dhe të përfshihen edhe sanksione në rregulloren e Kuvendit të Kosovës. Bëjmë thirrje që deputetët dhe grupet parlamentare të parashohin sanksione për deputetët të cilët e sabotojnë Kuvendit”.
Thirrje KDI u ka bërë deputetëve që të votojnë për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, raporton EO.
“KDI bën thirrje që të reflektojnë në situatën e re dhe deputetë të reflektojnë, pra të përkrahin këtë marrëveshje”.
Murati më tutje ka prezantuar edhe punën e komisioneve parlamentare. Sipas tij, komisioni me më së shumti mbledhje të mbajtura është ai për zhvillim ekonomik pastaj për legjislativ dhe për buxhet dhe financa.
Ndërsa komisionet me më së paku mbledhje të mbajtura sipas Muratit është ai për mbikëqyrjen e AKI-së dhe komisioni për bujqësi.