Qeveria e Kosovës më 19 prill 2018 miratoi projekt platformën për finalizimin e dialogut Kosovë-Serbi, platformë e cila iu dorëzua Presidentit të Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës.
Kjo platformë në formën e një draft rezolute u shqyrtua në Komisionin për Punë të Jashtme më 4 maj 2019. Ky komision vendosi që platformën ta procedoj në seancë plenare, megjithatë kuvendi deri tani është i pa interesuar për t’i dhënë prioritet dialogut Kosovë-Serbi.
Duke e konsideruar rëndësinë e procesit të dialogut që ndërlidhet drejtpërdrejt me procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE, konsolidimin e brendshëm dhe ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve, KDI vlerëson që Kuvendi i Kosovës duhet të jetë epiqendra e diskutimeve për hapat e mëtejmë rreth këtij procesi.
KDI, kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që sa më parë të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar lidhur me fazën e re të dialogut me Serbinë dhe platformën shtetërore të Kosovës për këtë proces.
Debati rreth të ardhmes së këtij procesi duhet të zhvillohet në Kuvendin e Kosovës, ku partitë parlamentare duhet të synojnë të ndërtojnë konsensus politik dhe të artikulojnë qartazi qëndrimet e shtetit të Kosovës në këto bisedime.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës në këtë platformë duhet të përcaktojnë temat e diskutimit, pritshmërinë e palës kosovare, rolin e institucioneve dhe ekipin negociues, duke i dhënë legjitimitet këtij procesi shtetëror me miratimin e një rezolute e cila do të garantoj gjithashtu bashkërendim të institucioneve, gjithëpërfshirje, llogaridhënie dhe transparencë.
Në fund KDI, iu bën thirrje deputetëve të Kuvendit që të jenë më aktiv në trajtimin e çështjeve të dialogut në seancat e kuvendit dhe në mbledhjet e komisioneve, në bazë të rezolutave të aprovuara nga kuvendi rreth këtij procesi dhe në përputhje me mandatin e tyre kushtetues. duke parashtruar më shumë pyetje parlamentare lidhur me këtë temë dhe duke ftuar në raportim zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie lidhur me procesin e dialogut.