KDI: MSH-ja jep tenderin për mbikëqyrje të punëve ende pa u kontraktuar punët ndërtimore

Prishtinë | 13 Nën 2020 | 15:54 | Nga Ekonomia Online

Duke parë rritjen e numrit të qytetarëve të Kosovës të prekur nga COVID-19, KDI përmes një komunikate për media, shpreh shqetësimet lidhur me vonesat nga Ministria e Shëndetësisë për të krijuar kushtet e nevojshme për trajtimin e pacienteve që po rrezikohen nga pandemia. Qeveria e Kosovës qysh më 5 korrik 2020 (Vendimi nr. 01/10) ka marrë vendim që MSH-ja dhe institucionet kompetente shëndetësore të ndërmarrin masat e nevojshme për rritjen e kapaciteteve të trajtimit për COVID-19. Në këto kushte emergjente, MSH-së i janë dashur dy muaj për marrjen e vendimit (Nr.05-5835, i datës 16.09.2020) për adaptimin e Klinikës Emergjente në QKUK, të papërfunduar, për nevojat e trajtimit të pacientëve me COVID-19.

Sot, kur shifrat ditore e të infektuarve janë në rritje e sipër, MSH ende nuk posedon projektin i cili definon nevojat ndërtimore për adaptimin e objektit për trajtim të nevojshëm të pacientëve. MSH vetëm me datën 21 tetor ka dhënë kontratën me procedura emergjente, për zhvillimin e projektit për adaptim të klinikës në fjalë, e cila kontratë përfundon me 19 nëntor 2020. Vetëm pas përfundimit të kësaj kontrate, MSH mund të filloj procedurat e kontraktimit të punëve për adaptimin e klinikës, kohëzgjatja e të cilave ende nuk dihet.

Për më shumë, KDI shpreh shqetësime që në kuadër të këtij tenderi përveç kërkesës për projektim, MSH kishte kërkuar edhe oferta për mbikëqyrjen e punëve të cilat ende nuk dihen se cilat do të jenë. Për më shumë, të dy kontratat i ishin dhënë të njëjtës kompani “ALB-Architect”. Përderisa vlera e kontratës për projektim të adaptimit të klinikës do t’i kushtoj qytetarëve 189,992.32 Euro, kontrata për mbikëqyrjen e punëve ende të pa definuara do të kushtoj 189,957.75 Euro.

Image

Kujtojmë se SHSKUK me 16 tetor 2020 ka shpallë tender të rregullt për punë të ngjashme të mbikëqyrjes së projektit për ndërtimin e objektit spitalor për nënën dhe fëmijën në Prizren me një vlerë të parashikuar 80% më të lirë se Ministria e Shëndetësisë. Duke qenë se MSH në kërkesën për mbikëqyrje të projektit nuk ka paramasë dhe parallogari të projektit por ka paraqitur informata vetëm për sipërfaqen e objektit (17,284.60 m2), ajo ka nënshkruar kontratë për mbikëqyrje të projektit në vlerë prej 10.99 euro për m2. Ndërkohë, SHSKUK për tenderin e ngjashëm të sipër cekur ka pranuar tri oferta: 12,895.00€ (më e lira), 35,000.00€ dhe 43,070.00€ (më e shtrenjta). Respektivisht, oferta më e shtrenjtë për këto punë është 6.15 euro për m2.

Me këtë rast, MSH, në krahasim me ofertat e pranuara nga SHSKUK, respektivisht ofertën më të shtrenjtë për punë pothuajse të ngjashme, do të paguaj 83,657.46 € më shumë, në dëm të qytetarëve të Kosovës.

KDI konsideron se kërkesa për mbikëqyrje të punëve nuk është dashur të jetë pjesë e këtij tenderi, dhe kërkon nga MSH-ja të mos e shfrytëzoj situatën emergjente me pandeminë me veprime të cilat rrezikojnë humbjen e parasë publike dhe limitimin e konkurrencës.

Gjithashtu, Instituti kërkon nga MSH-ja të siguroj që projekti për adaptimin e klinikës emergjente të mos të ballafaqohet me vonesa dhe të siguroj që kjo të ndodhë sa më shpejtë në mënyrë që qytetarët të marrin kujdesin e duhur, përfundon komunikata.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme