KDI: Qeveria me vlerën e koeficientit ul pagat dhe cenon pavarësinë e gjyqësorit

Prishtinë | 01 Shk 2023 | 14:49 | Nga Ekonomia Online

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka reaguar pasi që Qeveria e Kosovës të mërkurën ka prezantuar vlerën e koeficientit të pagave, prej 105 eurove. Sipas KDI-së, kjo vlerë e koeficientit nuk përkon me pritshmëritë dhe kërkesat e punëtorëve të sektorit publik.

KDI-ja ka vlerësuar se me këtë vlerë të koeficientit Qeveria cenon pavarësinë e sistemit gjyqësor.

“Për më tepër e metë kryesore e këtij ligji mbetet çështja e ndërhyrjes në sistemin e drejtësisë. Kjo vlerë e koeficientit e zhvlerëson pozitën e gjyqtarit dhe prokurorit duke ua ulur pagat për rreth 25%. Kështu një Gjyqtar i Gjykatës Themelore do të paguhet 1200 euro, ndërkohë që paga e tij/saj bazë ishte 1600 euro në muaj”, thuhet në reagimin e KDI-së.

Sipas tyre ulja e pagave në sektorin e drejtësisë është kudnërkushtetuese.

“Ulja e pagave aktuale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që nga Qeveria po arsyetohet si arritje e “barazisë” së pagave në sektorin publik është kundër kushtetuese dhe në kundërshtim me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, rasti nr. KO 219/19. Ulja e pagave është me kundërshtim edhe me Ligjin për Gjykatat, i cili qartazi përcaktohen se pagat e gjyqtarëve nuk mund të zvogëlohen gjatë mandatit për të cilin ata janë emëruar, përveç në rastet kur vendosen sanksione disiplinore nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës”, thuhet në reagimin e KDI-së.

Sipas tyre shfuqizimit të këtyre dispozitave duhet patjetër t’i paraprijë një arsyetim nga Qeveria, e cila thuhet se duhet të jetë nën frymën e “parashikushmerisë” dhe “sigurisë juridike” që duhet të ofrojë ky ligj.

“Çështja e uljes së pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve është kritikuar edhe nga ana e ekspertëve të Komisionit Evropian dhe Zyrës së BE në Kosovë. Ata kanë konsideruar që ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve me ligjin e ri, sidomos në një shumë kaq të konsiderueshme është shumë shqetësuese dhe rrezikon të cenojë parimin e pavarësisë së gjyqësorit. Edhe praktikat gjyqësore të shteteve të tjera evropiane si dhe Komisioni i Venecias kanë theksuar faktin se paga e gjyqtarit individual mund të ulet vetëm si pasojë e një krize të evidentuar ekonomike që do të përbënte rrethanë të jashtëzakonshme për shtetin, e në kontekstin aktual nuk kemi ndonjë krizë ose gjendje të jashtëzakonshme ekonomike të shpallur nga Qeveria. Përkundrazi, Kosova këtë vit ka miratuar buxhetin më të madh ndonjëherë, në vlerën prej rreth 3,2 miliardë euro”, thuhet në reagim.

Sipas KDI-së një ulje e tillë e pagave për sistemin e drejtësisë cenon parimin e ndarjes të pushteteve dhe është ndërhyrje direkte në pavarësinë e pushtetit gjyqësor.

Të ngjashme